TIRANE – Dy vajza kanë kryer një vjedhje të paparë në një farmaci në Tiranë. Videoja tregon sesi 2 vajzat, që duket të jenë në të 20-at, fusin në çantat e tyre produktet e një farmacie pranë RTSH-së, edhe duke pasur farmacisten pranë.

‘Na kanë vjedhur rreth 1 milionë lekë mall’, ka treguar pronari i farmacisë për Anabel.al, ‘I kemi denoncuar menjëherë në polici, por që prej 1 jave nuk janë gjetur.’ Produktet që janë vjedhur kanë qenë kremra pudër, buzëkuqe, rimele dhe produkte të tjera kozmetike. Ngjarja ka ndodhur të premten e 18 marsit, dhe është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Vajzat kanë qëndruar shumë gjatë në farmaci, duke e hutuar secila me radhë farmacisten me pyetje, ndërsa tjetra fut produktet në çantë. ‘Është e pabesueshme, thotë pronari i farmacisë për Anabel.al, ‘E bënin me radhë, njëherë pyeste njëra dhe tjetra vidhte, pastaj ndërronin vendet. Jo vetëm kjo, por pasi farmacistja e këshillonte se cili krem ishte i duhuri për të, ajo vidhte pikërisht atë tubet. Nuk merrte pa qenë e sigurt se i përshtatej me lëkurën!’

Në video duket sesi vajzat provojnë buzëkuqet një nga një, dhe pastaj fusin në çantë një tufë buzëkuqesh, e më pas rrotullohen nëpër farmaci për të vjedhur prapë. ‘Do të kishin marrë edhe më shumë, thotë pronari, ‘po të mos kishte hyrë një klient tjetër’. Ai ka treguar se pasi ato ishin larguar, farmacistja kishte nisur të dyshonte se mund të kishin bërë një vjedhje, pasi kishin qëndruar shumë gjatë. Pas kontrollit të kamerave të sigurisë, ata kishin kuptuar se bëhej fjalë për një vjedhje të konsiderueshme, dhe kishin ngritur menjëherë padi në polici. Megjithatë, ato duket t’i ketë përpirë dheu.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb