Shembet ura që shërben për kalimin e udhëtarëve dhe bagëtive nga ana lindore te ajo perëndimore në luginën e Drinos.

Gazetarja Brikena Metaj, raporton për “BalkanWeb”, se në këtë segment, një vit më parë, humbën jetën dy elektricistët e OSHEE, të cilët tentuan të kalonin mbi të. Fermerët dhe blegtorët e Lazratit, prej kohësh gjenden përballë kësaj situate aspak normale dhe mjaft të rrezikshme për jetët e tyre dhe të gjësë së gjallë. Kjo urë, mbetet e vetmja nyje kaluese mbi Drino, për fermerët lazaratas pasi nuk ka asnjë kalim alternativë në destinacionet e tyre.

Fermerët dhe blegtorët shprehen mjaft të irrituar pasi ndonëse kanë apeluar tek organet vendore e sidomos te administratori, nuk kanë marrë ende një zgjidhje. Sipas kryetarit të Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, kjo urë nuk rezulton të jetë në inventarin e Bashkisë së Gjirokastrës. Madje për rastin e mbytjes së dy elektricistëve vitin e kaluar, këtë sqarim, ja ka dhënë edhe Prokurorisë. Kjo urë ka qenë e përdorur dhe ndërtuar nga Ushtria Popullore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb