Real Madrid nuk mendon vetëm për të tashmen. Drejtuesit e dinë mirë se Kroos, Modric dhe Benzema janë në fund të karrierës dhe duhen zëvendësuar me lojtarë të rinj që bëjnë diferencën, për t’u kthyer në yjet e së ardhmes në “Bernabeu”.

Jude Bellingham i Dortmund, vetëm 19 vjeç, është i piketuari i Los Blancos. Por në tavolinë është një tjetër emër i madh, i cili ka dalë pas Botërorit. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin argjentinas Enzo Fernández, që u zgjodh futbollisti i ri më i mirë në Katar. Bellingnham preferon Madridin pasi nuk është në planet e tij të rikthehet tani në Angli.

Kur ai u largua nga Birmingham në moshën 17-vjeçare për të shkuar në Gjermani, ishte një vendim shumë i menduar, sepse ai kishte vendosur që karriera e tij mund të përparonte shumë më tepër. Pengesa e vetme është klauzola prej 150 milionë euro që e lidh me Dortmundin, por te Reali shpresojnë të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Edhe operacioni për Enzo Fernándezin nuk është i lirë. Mesfushori argjentinas mbërriti te Benfica këtë sezon dhe nënshkroi kontratë deri në vitin 2027. Klubi portugez nuk është i gatshëm të negociojë largimin e yllit të vet këtë dimër, siç e tregon edhe fakti se së fundmi refuzoi një ofertë 100 milionë euroshe për të. Nëse ndonjë ekip dëshiron ta marrë atë muajin e ardhshëm, do të duhet të paguajë 120 milionë euro të klauzolës së tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb