Argjinarja e egër që çel lule me ngjyrë vjollcë është një barishte që rritet gjithë vitin dhe që i përket familjes botanike Asteraceae. Vendlindja e saj është Mesdheu perëndimor dhe ai qëndror, ku kjo barishte ka gjetur përdorim që në lashtësi.

Gjethet, lulet, kërcenjtë dhe rrënja e argjinares së egër janë të gjitha të ngrënshme. Në Shqipëri, argjinarja e egër rritet në natyrë dhe ka emërtime të ndryshme në varësi të zonave. Në Shkodër i thonë artiçokë e egër, hinardh në jug të vendit dhe ingjinare e egër në Tiranë.

Bima e argjinares së egër rritet deri në 1.5 metra. Gjethet e saj janë në ngjyrë të gjelbër me nuance të grisë. Atë e gjejmë gjatë gjithë vitit dhe shija e saj është e hidhur.

Argjinarja e egër është e mbushur me vitaminë B12, 1, 5, 3, 6, vitaminë C, kalium, mangan, bakër, hekur, selenium, magnez dhe zink.

Ajo gjithashtu rregullon nivelet e lëngjeve në organizëm, ndihmon sportistët për stërvitjen, parandalon pagjumësinë, ul ankthin, dhimbjet e kokës, forcon imunitetin, ndihmon me rritjen dhe zhvillimin, përmirëson tretjen dhe parandalon problemet me veshkat.

Përdorimet tradicionale

Në mjekësinë popullore, sipas informacioneve të AgroWeb.org, gjethet e argjinares së egër janë përdorur për sëmundjet kronike të mushkërisë, hepatitin, fshikëzën e urinës, verdhëzën, diabetin dhe arteriosklerozën. Argjinarja e egër i vjen në ndihmë sistemit tretës, është efikase kundër reumatizmës dhe largon gurët nga organet e brendshme.
Gjethet përdoren për të përmirësuar shëndetin e mëlçisë dhe fshikëzës së urinës, sekretimin e lëngjeve të tretjes dhe uljen e kolesterolit në gjak.

Si ta konsumoni argjinaren e egër

Argjinarja e egër mund të skuqet, ziehet, piqet, apo të përdoret në supa. Rrënja e saj zjehet dhe shtohet në sallatë, ndërsa kërcenjtë dhe gjethet konsumohen të gjalla në sallatë ose gatuhen në supa. Sugjerohet konsumi i argjinares së egër përpara çeljes së petaleve, ndërkohë që nuk duhet harruar që gjethet janë përdorur në mjekësinë popullore për nxjerrjen e gurëve nga organet e brendshme dhe kundër reumatizmës.

Romakët e lashtë dhe italianët e sotëm kanë qenë të apasionuar pas argjinares së egër duke e kombinuar atë me vaj të mirë ulliri. Kërkimet e kohëve moderne tregojnë se përbërësi cinarinë i bimës përmirëson funksionet e mëlçisë dhe fshikëzës së urinës, duke stimuluar sekretimin e lëngjeve tretëse dhe ulur kolesterolin.

Argjinarja e egër është një burim jo shtazor i enzimës për prodhimin e djathit. Në Itali dhe Spanjë përdorin argjinare të thatë për prodhimin e djathit. Argjinaren e egër mund ta gjeni në periudhën e dimrit deri në fillim të pranverës. Ajo është një burim jetësor i vitaminës C, kaq të nevojshme në këtë stinë të ftohtë. Argjinarja është një bimë që kultivohet dhe rritet lehtë duke ju ndihmuar të përfitoni të gjithë vlerat e saj. Shija e argjinares së egër është arrore dhe më delikate se simotrat e saj./AgroWeb.org

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb