Vllaznia ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në Qipro, me shkodranët që janë gati për këtë përballje të madhe me AEL Limassol. Trajneri Brdaric ka në dispozicion grupin e plotë, përjashto brazilianin Da Silva. Përpara këtij takimi, klubi shkodran mund të marrë frymë lirisht pasi ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi” mund të mbështeten sërish tek tifozeria e tyre e zjarrtë. “Panorama Sport” ka mësuar se kuqeblutë janë dënuar me gjobë nga UEFA, 10,700 euro për atë episod të ndodhur gjatë sfidës me Siroki ku hedhja e flakadanëve solli ndërprerjen e sfidës për disa minuta. Në raundin e dytë në Conference League, Vllaznia nuk zbret në fushë si favoritë përballë AEL Limassol por shkodranët nuk futen në fushë as të dorëzuar, përkundrazi, kapiteni Gurishta shprehet se do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur sfidën të hapur për ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”:

“Do të jetë një ndeshje e fortë, e presim të jetë e tillë. E dimë nivelin e kundërshtarin, por jemi të përgatitur për të marrë më të mirën e mundshme”.

Vllaznia nuk konsiderohet favorite? “Të jemi realist, AEL është favorit në këtë ndeshje, jo vetëm për shkak të buxhetit apo që ka marrë pjesë shumë herë në këto kompeticione, por edhe për shkak të lojtarëve që kanë luajtur në nivele të larta. Ata janë favorit në letër, por ne do të bëjmë maksimumin dhe unë shpresoj të një rezultat pozitiv”.

Si është fusha dhe stadiumi? “Është një fushë e mirë, realisht e prisja më mirë. Fusha në Shkodër është më e mirë se kjo këtu, por nuk ka justifikime. Është lajm i mirë shtyrja e orarit të ndeshjes, pasi në 17:30 ishin temperatura shumë të larta, ndërsa me orarin e ri është më ndryshe”.

Diferenca në pagesa? “Nuk është shumë e rëndësishme sa paguesh, por sa e jep shpirtin në fushë. Ne do të japim shpirtin në fushë e pastaj varet ça situatash sjell ndeshje.

Ne kemi ardhur këtu për të bërë ndeshjen tonë dhe nuk do të mbrohemi. Atmosfera është shumë e mirë pas atij kualifikimi në Shkodër dhe të shohim çfarë do të ndodhë gjatë ndeshjes. Trajneri e ka fiksuar formacionin dhe mungesa e vetme është ajo e Da Silvës që është i dëmtuar”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb