Tifozeria e Vllaznisë pritet të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës shkodrane në sfidën e parë të “Final 4” ndaj Dinamos, takim që do të luhet këtë të shtunë në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 19:00.
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për duelin e parë nga tre përballjet e fazës fi nale, interesi në qytetin e Shkodrës duket të jetë në nivele shumë të larta, me tifozët kuqeblu që po organizohen për të mbështetur ekipin në kryeqytet. Atmosfera entuziaste është ndier gjatë gjithë javës, teksa grupimet e tifozëve dhe mbështetësit e shumtë të Vllaznisë kanë nisur mobilizimin për të qenë të pranishëm në numër të konsiderueshëm në tribunat e stadiumit.
Besimi te skuadra dhe ëndrra për rikthimin e titullit kampion në Shkodër kanë bërë që optimizmi të jetë i madh, ndërsa pritet që ngjyrat kuqeblu të dominojnë në një pjesë të mirë të shkallëve të impiantit kombëtar. Mbështetja e tifozërisë ka qenë një element shumë i rëndësishëm për Vllazninë gjatë gjithë këtij sezoni. Jo vetëm në ndeshjet e luajtura në Shkodër, por edhe në transfertat më të vështira, skuadra ka pasur gjithmonë pranë mbështetjen e pakushtëzuar të tifozëve të saj.
Këngët, koreografi të dhe atmosfera e krijuar nga tifozët kuqeblu kanë qenë shpesh një shtysë ekstra për futbollistët në fushën e lojës. Në prag të fazës më të nxehtë të sezonit, prania e tifozëve merr një rëndësi edhe më të madhe. Përballë një kundërshtari si Dinamo, në një ndeshje që mund të ketë peshë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit drejt titullit, skuadra shkodrane synon të ndiejë edhe një herë forcën e tribunave. Në kampin kuqeblu besohet se mbështetja masive mund të jetë një armë plus dhe një faktor shtesë motivimi për ekipin në fushë.
Shpresa për titullin kampion vazhdon të mbetet e gjallë te tifozët e Vllaznisë, të cilët duken të vendosur ta ndjekin skuadrën deri në minutën e fundit të kampionatit. Pritet që e shtuna në mbrëmje të sjellë një atmosferë të zjarrtë në “Air Albania”, me tifozërinë shkodrane që kërkon të japë sinjalin e parë të madh në mbështetje të ëndrrës kuqeblu për rikthimin tek titulli kampion.
