Vllaznia po kalon një moment shumë delikat të sezonit ku ka pësuar 4 humbje radhazi mes kampionatit dhe Kupës, duke rrezikuar kolapsin pikërisht në momentin më të rëndësishëm.
Humbja e djeshme ndaj Tiranës është shoqëruar me momente nervozizmi dhe tensioni, që kanë vazhduar edhe pas sfidës në “Selman Stërmasi”. Situata ka bërë që pas përfundimit të takimit, presidenti Alban Xhaferi të zhvillonte mbledhje në ambientet e stadiumit, duke qëndruar për rreth 40 minuta me ekipin.
Ai fillimisht është takuar me trajnerin Edi Martini, me të cilin ka zhvilluar një bisedë kokë më kokë, për të diskutuar momentin e vështirë të ekipit. Më pas, e kishte radhën skuadra, me të cilën është takuar veçmas për të vënë në pah shqetësimin e momentit kritik dhe nevojën e një reagimi.
