Dy partitë politike në Maqedoni, VMRO DPMNE-ja, e cila ka fituar numrin më të madh të mandateve në bllokun politik maqedonas, dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në bllokun politik shqiptar, nuk kanë dhënë hollësi për bisedimet që po zhvillojnë për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Ato as që kanë dhënë sinjale se së shpejti mund të ketë një qeveri të konstituuar ndërmjet tyre.

“Do t`ju informojmë sapo të kemi momente të reja”, ka deklaruar për Radion Evropa Lirë zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Ivo Kotevski.

Zyrtarë nga kjo parti kanë theksuar se brenda kësaj jave, përkatësisht deri më 29 janar, kur mandatari është i obliguar t`i dorëzojë Parlamentit programin për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, do të arrijnë t’i harmonizojnë dallimet që kanë këto dy parti rreth ligjit për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, si dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë se duhet respektuar parimi i formimit të qeverisë me partitë, të cilat kanë dalë fituese në zgjedhje.

Analistët politikë vlerësojnë se në këtë formë, partitë politike synojnë të përgatisin terrenin për formimin e një qeverie të re ndërmjet VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.

Parimi që partitë fituese në bllokun maqedonas dhe atë shqiptar, të krijojnë qeverinë e Maqedonisë, doli nga Marrëveshja e majit e vitit 2007, që u arrit me ndërmjetësimin e amerikanëve, pasi në vitin 2006 Nikolla Gruevski qeverinë e konstituoi me Partinë Shqiptare Demokratike, e cila kishte fituar më pak mandate në bllokun politik shqiptar kundrejt Bashkimit Demokratik për Integrim.(REL)

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb