Një 31-vjeçar është arrestuar nga policia në Maliq, pasi ka vjedhur një dyqan dhe ka kanosur nga telefoni vajzën e pronarit të këtij biznesi.

Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se ka rënë në pranga i riu Skerdi Lamçe, i cili sipas uniformave blu, rezulton të ketë qenë i dënuar disa herë më parë për vjedhje.

Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. L., 31 vjeç, banues në fshatin Sheqeras, Maliq (i dënuar më parë disa herë për veprën penale “Vjedhja”).

Shtetasi i mësipërm më datë 30.08.2020, ka vjedhur në dyqanin e shtetasit V. Q., në fshatin Sheqeras, artikuj të ndryshëm ushqimorë dhe paketa cigare në vlerën 20.000 lekë, si dhe ka kanosur nëpërmjet telefonit vajzën e pronarit të dyqanit.

Gjithashtu 31-vjeçari, në momentin që ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit Korçë ka tentuar të largohet, por u kap menjëherë dhe u prangos nga policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja”, “Kanosja”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit, mbetur në tentativë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb