TIRANE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka miratuar tabelat përmbyllëse për Bashkitë e Vlorës, Elbasanit, dhe Korçës. Tabela e Bashkisë së Vlorës u miratua me 7 vota pro, ku fitues u shpall kandidati i ASHE Dritan Leli. Ndërkaq janë miratuar tabelat përmbyllëse për Elbasanin, ku fitues u shpall Qazim Sejdini, dhe për Korçën ku në krye të Bashkisë u zgjodh Sotiraq Filo.

KQZ ndërkaq, ka nisur diskutimin për ankimimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Vorën, dhe ka marrë në dorëzim të gjitha materialet zgjedhore për këtë bashki.

Në fillim të këtij diskutimi për Vorën, kryetarja e KQZ-së tha se “Komisioni është ende në fazën e administrimit të provave”.

Anëtari i KQZ-së, Manjani tha se PS-LSI nuk kërkon “fitore në tavolinë” të zgjedhjeve në Vorë, por ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të këtyre zgjedhjeve, për shkak të problemeve me listat.

Ndërsa anëtari i KQZ, Ivi Kaso u shpreh se PS-LSI cënoi standardet zgjedhore në Vorë. Duke u shprehur se nuk mund të vendosen paralelizma mes Durrësit e Vorës, Kaso tha se në këtë të fundit “zbarkoi e gjithë qeveria për fushatë”. Sipas Kasos, në Vorë u kërcënua biznesi dhe qytetarët, duke u shprehur se “Biznesi i kandidatit të PD u bllokua me dhunë”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: