NGA MIRSAD RAKAJ*

Nën masa të rrepta sigurie dhe i veshur me jelek antiplumb, Aleksandër Dushaj, i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Shkami ka mbërritur në Gjykatën e Shkodrës për t’u njohur me masën e sigurisë. Rruga njëkalimëshe e gjykatës ka qëndruar e bllokuar që nga ora 08.00 të mëngjesit deri në orën 11.00, kur ka përfunduar seanca gjyqësore. Asnjë i afërm nuk ka marrë pjesë në gjyq për shkak edhe të frikës së gjakmarrjes. Seanca gjyqësore nisi në orën 10.00 të ditës së djeshme.

Ndryshe nga rrëfimi i tij në prokurori dhe polici, Dushaj ka kërkuar falje përpara trupit gjykues. Por gjithashtu, ai ka deklaruar se e kishte kryer këtë veprim për shkak se babai i vajzës, Skënder Shkami, e kishte kërcënuar atë pasi nuk ishte dakord me këtë krushqi. Prokurori i çështjes, Aleksandër Pashuku, e ka cilësuar vlerësimin e ligjshëm të ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të dyshuarit, atë të arrestit me burg për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi vlerësimin e ligjshëm të ndalimit. Në fund, gjykatësi Erjon Bani vlerësoi si të ligjshëm ndalimin dhe caktoi masën e sigurisë “Arrest me Burg” për 31-vjeçarin. Brenda 10 ditësh mbrojtja ka të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

RREFIMI I AUTORIT
“Gazeta Shqiptare” ka zbardhur deklarimet që ka bërë Aleksandër Dushaj në prokurori. “Kam pasur konflikt me familjen Shkami prej një viti, sepse kam kërkuar që të fejohem me vajzën e Skënderit, Zyliha Shkamin, e cila është 19 vjeçe dhe jeton prej disa vitesh në Angli. Unë e kam pëlqyer atë që në moshë të re, po ashtu edhe ajo më ka shprehur mua pëlqimin e saj. Kam kontaktuar vazhdimisht me të në ‘Facebook’ dhe ka qenë dakord për t’u fejuar me mua. Duke u nisur nga kjo, unë ia kam thënë këtë gjë babait të saj, i cili nuk ka qenë dakord dhe më përçmonte mua dhe familjen time vetëm se ishim të varfër. Unë kam çuar në familjen Shkami xhaxhain tim për të kërkuar dorën e vajzës, por ato i kanë kthyer përgjigje se nuk do e jepnin vajzën për nuse jo mua, por askujt deri sa ajo të përfundonte shkollën e lartë. Pasi më kanë kthyer këtë përgjigje, unë kam kërkuar disa herë që të takoj babain e vajzës, por ai nuk ka pranuar asnjë takim me mua. Unë ia kisha bërë të ditur Skënderit se kam folur në ‘Facebook’ me vajzën e tij dhe se ishte plotësisht dakord. Por ai më ka fyer disa herë nëpërmjet telefonit, madje duke më kërcënuar. Kur u kthye nga Anglia për të kaluar festat e fundvitit, unë i kërkova Skënderit ta takoja ndërsa ai sërish më ka fyer me fjalë nga më të ndryshmet përmes telefonit. Ditën e ngjarjes deri në momentin kur ndodhi krimi e kam kërkuar që të takohem me shtetasin Skënder Shkami dhe për këtë fakt e kam kërkuar në të gjitha lokalet e zonës deri sa e kam takuar rrugës kur ai po shkonte tek mbesa e tij për vizitë. Pasi e kam takuar, Skënderi më tha se vajzën time nuk e merr ti, duke më fyer mua dhe ofenduar edhe familjen time. Më pas nga frika se do të më vriste, kam shkuar në shtëpi dhe mora automatikun. I kam zënë pritë Skënderit dhe Abdullait që po shkonin tek nëna e tyre për vizitë, e cila e ka banesën ngjitur me shtëpinë time. Aty është një shteg i ngushtë dhe kam qëlluar Skënderin të parin e më pas kam shtënë mbi Abdullain. Kur i pashë se u shtrinë përtokë, u largova. Jam drejtuar për në banesën time dhe kam parë se në ballkonin e shtëpisë po qëndronin axha im me djalin e vet. I thashë që të bënin kujdes ata dhe babi i tij sepse, kam vrarë Abdullain (Dulaqin) siç njihej në zonë dhe Skënderin. Kam bërë edhe një telefonatë me Ramzi Buhaj, një bashkëfshatar, të cilit i kamë thënë se po largohem pasi i vrava dy vëllezërit. Jam ngjitur nëpër mal, kam ecur disa orë dhe më vonë e kam hedhur armën në tokë. Kam parë forcat e policisë që po patrullonin atë moment aty, të cilat menjëherë u drejtuan drejt vendit të ngjarjes. Unë duke e njohur mirë zonën, u largova nëpër mal duke dalë në zonën e Mazrrekut. Më pas po atë ditë kur bëra vrasjet kam ecur nëpër disa rrugë dytësore deri sa kam dalë në autostradë. Aty kam hipur në autobus dhe nuk më njohu asnjë nga pasagjerët. Kam zbritur në Kamëz deri ditën e dytë kur vendosa që të dorëzohem”, ka qenë rrëfimi i 31-vjeçarit para prokurorit të çështjes. Mësohet se Aleksandër (Esat) Dushaj jetonte bashkë më të atin, pasi e ëma ishte larguar për në Francë së bashku me djalin e dytë.

Familja e tij ishte tejet e varfër. Ndërsa vetë Aleksandri kishte emigruar disa herë në Greqi, ku kishte pasur edhe një lidhje. Por kjo lidhje do të përfundonte për shkak se Aleksandri kishte rënë në dashuri me vajzën e Skënderit një krushqi kjo e papërfunduar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb