TIRANË

Tre muaj pas vrasjes së bujshme në Selitë policia ndalon një të dyshuar. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Policia e Tiranës ka ndaluar një të dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilalit, ngjarje e ndodhur më 30 janar të këtij viti.

I ndaluari mësohet se është 47-vjeçari me iniciale Arben Tirana (Xhetani), i cili figuron me precedentë të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes së makinave.
Sipas burimeve nga policia, ai dyshohet se i ka siguruar mjetin “Benz” autorëve të vrasjes i cili u gjet vetëm pak minuta më vonë i braktisur në Mjull Bathore, çka do të thotë se është takuar dhe i ka parë autorët.

“Në vijim të veprimeve për zbardhjen, dokumentimin dhe arrestimin e autorëve të vrasjes së shtetasit A.B., në bazë të urdhërit të ndalimit të lëshuar nga Prokurori, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim A. T (Xh)., 47 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’. Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, bën të ditur policia.

Arben Biliali u ekzekutua pranë shtëpisë së tij me 10 plumba, ndërsa familja e tij ishte në konflikt dhe e ngujuar. 50-vjecari kishte dalë nga banesa disa orë para se ta qëllonin. Ai po kthehej në shtëpi me një makinë tip “Golf 4”, ku po udhëtonte si pasagjer. Makina e tij është vënë në ndjekje nga 2 atentatorët që udhëtonin me një “Benz” të zi. Kamerat e sigurisë tregojnë se ai u ndoq për rreth 9 kilometra që prej kryqëzimit të “Vasil Shantos” deri në rrugën “Daniel Ndreka” ku kishte shtëpinë.

Rruga drejt banesës së Bilalit është një kalimshe cka iu ka mundësuar atentatorëve ta ndjekin viktimën pa rënë në sy. Rreth 50 metra larg shtëpisë së tij mjeti ‘Golf 4’ i drejtuar nga djali i një shoku të Arbenit ndaloi, që ky i fundit të zbriste. Teksa makina u drejtua në rrugën dytësore të  Autostradës Tiranë-Elbasan, një prej personave që ndodhej në mjetin ”benz “dhe që dyshohet se është vrasës me pagesë, ka hapur zjarr nga një distancë prej rreth 5 metrash drejt Arben Bilalit.  Burime pranë policisë thanë se vrasja është kryer me një armë automatike me silenciator dhe drejt viktimës është qëlluar rreth 15 herë nga brenda makinës në ecje.

50-vjeçari është djali i tretë i familjes Bilali që është vrarë për shkak të një përplasjeje me një grup të njohur në zonë. Ish-policit i kanë vrarë dy vëllezërit Bujar dhe Leonard Bilali. Bujar Bilali është vrarë në vitin 1998, ndërsa Leonardi, ish-mundës i Dinamos në gusht 2010 në të njëjtin vend ku u vra sot ish polici. Policia po heton në disa pista për vrasjen, ndërsa nuk përjashtohet pista e hakmarrjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb