VLORE- Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi qytetin e Vlorës një ditë më parë, ku drejtori i OSHEE-së, Roland Saliu dhe biznesmeni Erven Hyseni, pronari i tv ‘Vlora Channel” u ekzekutuan me breshëri automatiku në lokalin e këtij të fundit, teksa ishin ulur bashkë në kafe.

Autorët e atentatit kanë përdorur një makinë BMW, për të mbërritur në vendin e krimit, e cila më pas u dogj për të humbur gjurmët. BalkanWeb mëson se mjeti në fjalë ishte vjedhur jashtë vendit, ndërsa target e makinës dyshohet të jenë të falsifikuara.

Policia gjeti makinën e djegur të autorëve në fshatin Panaja. Mjeti tip BMW, rezulton i vjedhur, dhe është me targa AA 348 PC. BalkanWeb e siguroi foton e mjetit që digjej pak orë pas atentatit të rëndë në sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës.

BalkanWeb mëson gjithashtu se policia ka sekuestruar kamerat e hotelit dhe lokalit ku ndodhi ngjarja për të parë se çfarë kanë fiksuar ato nga momenti i krimit. Deri më tani policia e Vlorës ka shoqëruar në Komisariat rreth 20 persona në lidhje me atentatin mafioz. Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët pas krimit kanë kaluar nga rruga Muze për të dalë më tej drejt qytetit dhe më pas kanë dalë në autostradë ku kanë djegur edhe automjetin.

NGJARJA
Mbrëmë rreth orës 19:30, persona të panjohur kanë qëlluar me kallashnikov nga një makinë në lëvizje në drejtim të lokalit “Bar Vlora”. Në momentin që atentatorët kanë mbërritur me automjetin e tyre tek “Sheshi i Flamurit”, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, Erven Hyseni dhe kreu i OSHEE-së, Roland Saliu kanë qenë në të njëjtin ambient duke pirë kafe. Mësohet se Saliu, sapo ishte kthyer nga një takim elektoral dhe si duket kishte vendosur të konsumonte një kafe, me mikun e tij. Pas krimit, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata e kanë braktisur dhe djegur automjetin e tyre në fshatin Panaja të Vlorës dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.

GJENDET MAKINA
Policia e Vlorës bën me dije se në afërsi të Panajasë, pranë mbikalimit, është konstatuar një mjet tip “BMW” me targë AA 348 PC, i cili kishte marrë flakë. Për shkak të ndërhyrjes së zjarrfikëses është bërë e mundur shuarja e flakëve të zjarrit dhe për pasojë mjeti është dëmtuar pjesërisht. Dyshohet se mund të ketë lidhje me vrasjen. Blutë po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb