Është shtyrë seanca e parë e gjykimit paraprak për pesë personat e akuzuar në lidhje me vrasjen e Egli Progës. Seanca e zhvilluar sot në gjykatë zgjati rreth 60 minuta, por nuk u arrit të merrej një vendimmarrje për shkak të mungesës së avokatit të Leonidha Guçes.

Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet të hënën e ardhshme, ndërsa pritet që në vijim të merret edhe vendimi nëse çështja do të kalojë për gjykim në themel apo do t’i kthehet Prokurorisë për plotësime të mëtejshme. Pesë të akuzuarit janë dërguar për gjykim nga Prokuroria, pas përfundimit të hetimeve për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën Egli Proga.

Ngjarja e rëndë ndodhi në gusht të vitit 2024 në Pogradec, ku Egli Proga humbi jetën pas dhunës së ushtruar ndaj tij. Çështja shkaktoi reagime të forta publike dhe familjarët e viktimës kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Tashmë, pas përfundimit të hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjykatë, procesi gjyqësor për pesë të akuzuarit vijon në Gjykatën e Korçës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb