Nesër ditë zie për Kosovën. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vendosi që të shpallë të enjten dite zie, pas ngjarjes tragjike ku një punonjës policie u vra në krye të detyrës. Sami Thaçi u vra mbrëmë gjatë një aksioni policor në Prizren, ku një banesë kishte rënë pre e grabitjes.

“Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, të shpallur për ta nderuar jetën dhe veprën e policit Sami Thaçi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, shkruhet në njoftim. Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka ndarë edhe urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaçi.

“Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë dhe stabël dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët tanë”, ka thënë kreu i shtetit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: