Vrasja e Viktor Bardhit alias Marku në Ndërfushas të Mirditës vijon të mbetet pa autorë të dyshuar, ndërsa një prej vështirësive kryesore për hetuesit lidhet me zonën ku ndodhi krimi.

Në hyrje të fshatit Ndërfushas ka kamera sigurie, por nga pamjet e tyre nuk rezulton të ketë lëvizur asnjë automjet gjatë orëve kur dyshohet se është kryer ekzekutimi. Për këtë arsye, një nga pistat që po hetohet është mundësia që autorët të kenë përdorur nënkalimin e “Rrugës së Kombit” për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Një tjetër mundësi që po shqyrtohet është ajo që autorët të kenë kaluar barrierat mbrojtëse të rrugës në këmbë, pasi ato ndodhen vetëm pak metra larg vendit ku 65-vjeçari dyshohet se është zënë në pritë.

Edhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë në pikat hyrëse dhe dalëse të Rrëshenit nuk është evidentuar ndonjë gjurmë e automjetit që mund të jetë përdorur nga autorët, raporton gazetari Elidon Ndreka.

Automjeti i dyshuar u gjet i djegur në Munaz, rreth 20 minuta pasi familjarët e 65-vjeçarit njoftuan policinë se e kishin gjetur të pajetë. Hetuesit dyshojnë se ekzekutorët mund të jenë ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët mund t’i kenë pritur me një tjetër automjet për t’u larguar nga zona dhe për të humbur gjurmët.

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është fakti se në automjetin e gjetur të djegur nuk janë gjetur armë apo prova të tjera që mund të lidhen drejtpërdrejt me autorët. Kjo ka shtuar dyshimet se automjeti mund të mos jetë ai i përdorur për kryerjen e vrasjes, por mund të jetë djegur qëllimisht për të orientuar hetimet drejt një piste të gabuar.

Hetuesit po vijojnë verifikimet mbi lëvizjet e automjeteve të tjera në zonë gjatë intervalit kohor kur dyshohet se është kryer vrasja, me qëllim identifikimin e autorëve dhe personave që mund t’i kenë ndihmuar ata të largohen nga vendi i ngjarjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb