Gazetari Armando Bajrami dhe deputetja Mesila Doda të ftuar në emisionin ‘Shënjestër’ në ‘News24’ folën për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik, vrasjen e 8-vjeçarit në Fier nga Klodian Çalamani.

Gjatë bisedës në studio, gazetari Bajrami tha se Klodian Çalamani ishte një minë me sahat në komunitetin ku ai jetonte, për shkak se ka qenë një person i cili ka shfaqur probleme dhe është denoncuar  për një tjetër rast të rëndë.

“Humbja e jetës së një të mituri ishte një ngjarje e paralajmëruar. Personi përgjegjës ka qenë pjesë e një procedimin penal, për një vepër të kryer po në të njëjtën komunitet. Është një histori që në gjenezën e saj ka pasur edhe të tjera , si rasti me 16-vjeçaren. Banorët në atë komunitet kanë pasur mundësi të flasin përmes mikrofonit. Në lidhje me reagimet e tyre, SHÇBA ka nisur një verifikim për të parë nëse ka pasur denoncime për Klodian Çalamanin dhe çfarë reagimesh ka pasur nga institucionet. Klodian Çalamani ka qenë një minë me sahat, një bombë për atë komunitet ku jetonte. Personat me çrregullime, ligji penal shqiptar i përjashton nga përgjegjësia penale, pra përjashton të gjithë personat që në momentin e kryerjes së krimit rezultojnë se kanë pasur çrregullime mendore. Më pas gjykata për këta persona cakton dy masa, mjekim të detyrueshëm ambulator dhe shtrim të detyrueshëm në spital në Psikiatri”, tha më tej gazetari.

Ndërkohë Mesila Doda u shpreh se shqetësuar për faktin se në vendin tonë mungon një linjë e cila duhet të trajtojë veçanërisht problemet dhe dhunën ndaj fëmijë.

Ajo gjithashtu tha se këto raste të rënda shoqëria duhet t’i trajtojë ndryshe, gjithashtu edhe nga ana e institucioneve duhet të ketë reagime emergjente.

“Fakti është që në Shqipëri mungon një linjë e dedikuar për problemet dhe dhunën ndaj fëmijëve. Kjo është një urgjencë që dhuna, krimet tek të miturit dhe gratë do të duhet të jetë në plan të parë dhe shoqëria duhet të reagojë ndryshe. Ne vërejmë që kemi një shoqëri që ka një ngarkesë të dhunës që është e frikshme, dhe e ndjen sapo del nga shtëpia. Jemi një shoqëri e cila ul kokën ndaj dhunuesit, ulim kokën përpara të fortit. Për problemet e shoqërisë duhet të jemi të gjithë në alert. Shikoni se çfarë bëhet ne parlament , i gjithë dialogu që zhvillohet është i turpshëm”, tha Doda, ndërsa shtoi: “Në kemi vënë paranë në qendër, në adhurojmë forcën , më të fortin. Ne kemi zbritur Zotin në tokë”.

Pjesë nga biseda:

Doda: Asnjë nga institucionet nuk ka funksionuar. Familja shqiptare është e pambrojtur në këtë situatë që jemi. Shoqëria duhet të jetë më në alert, do të duhet që të ketë zë të bërtasë. Ne jemi dorëzuar para të keqes sepse këtu nuk zgjohet asgjë. Duhet një fushatë lidhur me ndërgjegjësimin për çështjen e dhunës.

Bajrami: Nuk mjafton vetëm ashpërsimi i ligjit, duhet një shkundje e të gjithë strukturës shtetërore. krijime të institucioneve të përshtatshme për të ndjekur të gjithë vijën. Duhet një ndjekje e këtyre personave, të ketë dënime plotësuese. Një ndryshim rrënjësor jo vetëm institucional, por edhe shoqëror.

Pano: Ne kemi falimentuar në ndërtimin e një shoqërie solidare. Thjesht pranojmë se nuk kemi çfarë të bëjmë. Unë do të synoja shumë tek ndërtimi i njeriut.  Është e pamundur që sistemi të reformohet, nëse njeriu nuk i kthehet vlerave të vërteta.

A duhet ta pranojmë që kemi gabuar të gjithë për Mateon?

Pano: Patjetër që po.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb