26-vjeçari afgan, Sharif Ahmadzai, i akuzuar për vrasjen brutale të 38-vjeçares britanike Elizabeth Ross, do të dalë këtë të mërkurë para autoriteteve hetuese në Greqi për të dhënë shpjegimet e tij lidhur me krimin që ka tronditur opinionin publik.
Trupi i Elizabeth Ross u gjet në një gjendje të avancuar dekompozimi, i futur brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit, në Athinë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe për shkak të profilit të të dyshuarit, i cili për vite me radhë ishte promovuar si një histori suksesi e integrimit të refugjatëve në shoqërinë greke.
Ahmadzai mbërriti në Greqi në vitin 2016 përmes ishullit të Lesvosit si refugjat i mitur i pashoqëruar. Historia e tij u mbështet dhe u promovua nga organizata humanitare, përfshirë Kryqin e Kuq, si shembull i një të riu që arriti të ndërtonte një jetë të re përmes sportit dhe angazhimit social.
Më vonë ai u konvertua në fenë e krishterë, u martua me vullnetaren amerikane Alaina Hall dhe së bashku krijuan një organizatë për mbështetjen e refugjatëve në Athinë. Përmes kësaj veprimtarie, ku organizonin mësime boksi dhe shpërndanin ndihma ushqimore, ai u njoh me Elizabeth Ross, e cila ishte gjithashtu aktive në organizata vullnetare dhe të krishtera.
Sipas raportimeve, 26-vjeçari po përgatitej edhe të botonte një libër mbi rrugëtimin e tij nga kampet e refugjatëve drejt integrimit në shoqërinë greke, përpara se emri i tij të lidhej me një nga ngjarjet më tronditëse të kohëve të fundit në Athinë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të vrasjes vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të marrin në pyetje të dyshuarin gjatë seancës së sotme.
