NGA KLODIANA LALA

TIRANE- Arjan Bytyçi, një prej të dyshuarve si bash këpunëtor i deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, në vrasjen e Aleksandër Kurtit në 1999 në Belgjikë, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në një seancë të mbajtur në Gjykatën e Lartë më 25 qershor, kolegji penal me kryesues Artan Brocin, e anëtarë Ardian Nunin, Edmond Islamajn, Guxim Zenelajn e Tom Ndrecën, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj Arjan Bytyçit. I dyshuari, emri i të cilit ndodhet në listën e personave të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, njihet edhe me disa emra të tjera, si Kristian Morina (Marinaj) alias Hilë Joka alias Hilë Morina.

Masa e arrestit ndaj Bytyçit u caktua mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme. Ai dyshohet për akuzën e vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim në dëm të Aleksandër Kurtit në 1999 në një stacion treni në Bruksel.

KËRKIMI NGA BELGËT
Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Lartë thuhet se: Me 28.03.2015 Prokuroria e Përgjithshme, ka regjistruar procedimin penal Nr.2, datë 28.03.2015, në ngarkim të shtetasve: a) Mark Frroku, (deputet i Kuvendit); b)Arjan Bytyçi, alias Kristian Morina (Marinaj) alias Hile Joka alias Hile Morina, lindur në Pukë më datë 02.02.1977 alias Ilir Morina, i lindur në Drenicë, Kosovë, më datë 2 shkurt 1977, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim”.

Procedimi penal Nr.2, i mësipërm, është regjistruar mbi bazën e materialeve të ardhura nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana me shkresën Nr.2851/1 KL Prot.BM/FKB 1433/15, datë 27.03.2015 dhe Ministria e Drejtësisë me shkresën Nr.266/2 datë 28.03.2015. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ka komunikuar se, më datë 04.11.2014 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Arjan Bytyçi, lindur më 02.02.1977 në Drenicë, Shqipëri, alias Hilë Joka, Hilë Morina dhe Ilir Morina, pasi nga Gjykata e Shkallës së Parë Bruksel, Belgjikë, është lëshuar urdhri i arrestit Nr.37/99 dt. 10.01.2000 ndaj këtij shtetasi, si i akuzuar për veprën penale “vrasja” e parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të K.P.Belg, për të cilën dënimi maksimal i parashikuar është ai me burgim të përjetshëm. Sipas Z.Q.K Interpol Tirana, më dt. 09.01.2015, Interpol Brukseli e ka hequr nga kërkimi ndërkombëtar personin nën hetim me arsyetimin se urdhri i arrestit i lëshuar ndaj tij nuk është më i vlefshëm dhe se gjeneralitetet e sakta të tij janë Kristjan Marinaj, i dtl. 18.02.1975.

Në vijim, më dt. 26.01.2015 Interpol Brukseli ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin Kristian Marinaj, i dtl. 18.02.2015, lindur në Serbi, me kombësi Serbe të konfirmuar, duke specifikuar se ky shtetas njihet ndryshe si Arjan Bytyçi, alias Hilë Joka, Hilë Morina, Ilir Morina. Ndaj këtij shtetasi është lëshuar urdhri europian i arrestit B1/070PC, dt. 12.01.2015 nga Gjykata e Apelit Bruksel, për veprën penale “vrasja dhe plagosja në rrethana rënduese”. Sipas Z.Q.K Interpol Tirana, Arjan Bytyçi është identifikuar se ishte i njëjti person, por kishte disa emra, siç specifikohen më lart.

Shkresës së Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës i është bashkëlidhur dokumentacioni i mëposhtëm: Kopje e Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar (Diffusion) lëshuar ndaj shtetasit Kristian Marinaj nga Interpol Bruksel, më datë 26.01.2015; Kopje e rezultateve të nxjerra nga kontrolli në sistemin e-ASF2 të Interpolit lëshuar në emër të Kristjan Marinaj.

VRASJA NË BRUKSEL
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel.

Autor i kësaj ngjarje besohet të jetë shtetasi Mark Froku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Froku Dritan, i njohur si Piro Sfrani (SOFRANI). Si pas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka, ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin “L.S”. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve).

Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Marinaj Kristian, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Vuka Besnik. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.

Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Arjan Bytyçi, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim”. Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit, ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.

Duke qenë se, nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Ëallon, Belgjikë. Nga veprimet hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme të Brukselit ka rezultuar se: Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, më datë 5 mars 1999, rreth orës 17:45, Policia e Saint-Gilles, ka zbuluar në një rrugë në hyrje të stacionit “Gare du Midi”, Nr.47A të Avenue Fonsny, Bruksel, trupin e një djali të ri në agoni.

Nga këqyrja rezultoi se, hunda e tij ishte e mbuluar me gjak, kishte hematoma të rënda tek sytë, plagë në dorë dhe gjoksin e gjakosur me tre gjurmë goditjeje me thikë. Viktima, në bazë të dokumenteve të identifikimit që ju gjetën, është identifikuar si Azem Shkreli, lindur në Jugosllavi, më 8 shtator 1980.

Policia ka konstatuar dhe marrë poshtë një kamioni, një thikë të madhe mishi, me një dorezë prej druri, tehu i të cilës ishte njollosur me gjak. Veprimet e para hetimore kanë treguar se bëhej fjalë për larje hesapesh ndërmjet personash të përfshirë në rrjetin e prostitucionit shqiptar. Marku, me vëllezërit e tij Nardi dhe Arben, ka qenë përgjegjës për tre prostituta, që banojnë bashkë. Sipas dëshmitarit anonim ata quhen FRROKU. Viktima me origjinë nga Shkodra (Shqipëri) është hequr si polic i Interpolit dhe se në Shqipëri e njeh familjen e shtetases “L”.

Nga frika se mos familja e saj mësonte mbi punën që ajo bënte në Belgjikë, shtetasja “L” i telefonon tutorit të saj Nardi (FRROKU alias Shkurt LASKU), i cili ndodhej në atë kohë në Shqipëri. Ai e këshillon të njoftojë të vëllanë Dritan (Besnik MORINA). Dritani e fton t’i ngrejë një kurth viktimës në Gare du Midi. Shtetasja L. kontakton me telefon me Aleksandër KURTI dhe e siguron se ajo do të ishte vetëm me të në takim. Në orën dhe vendin e caktuar, nuk është “L” e cila pret viktimën, por katër persona të cilët kanë për qëllim ta vrasin. Informacion i rëndësishëm është marrë dhe nga dëshmitarët e tjerë të pyetur në Belgjikë, thëniet e të cilëve gjenden të pasqyruara në akt akuzën e dërguar nga autoritetet belge.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb