Një shpërthim bombë pranë një klinike fertiliteti në Kaliforni ka shkaktuar një viktimë dhe ka lënë katër persona të plagosur. Incidenti ndodhi pak para orës 11:00 të mëngjesit, në afërsi të qendrës së qytetit Palm Springs, në një zonë ku ndodhen biznese të shumta, përfshirë edhe Qendrat Amerikane të Riprodhimit (ARC).

Personi i dyshuar për këtë ngjarje është identifikuar si 25-vjeçari Guy Eduard Bartkus, sipas burimeve të afërta me hetimin që kanë folur për CBS News. Dëshmitarët përshkruan shpërthimin si shumë të fuqishëm, sa që thyen xhamat dhe shkaktoi dëme të mëdha në një ndërtesë ngjitur ku ndodhej edhe klinika ARC.

Michael Beaumier, një kalimtar që po udhëtonte me biçikletë, tha se u hodh në tokë nga forca e shpërthimit. “Ishte një tronditje e madhe dhe dëgjova xhamat që po thërrmoheshin kudo përreth,” rrëfeu ai.

Ndërsa një tjetër dëshmitar, Rhino Uilliams, i cili ndodhej në restorantin e tij aty pranë, fillimisht mendoi se bëhej fjalë për rrëzimin e një avioni. Ai vrapoi drejt vendit të ngjarjes dhe pa ndërtesën të rrënuar dhe një automjet që digjej në parking. Sipas tij, në vendngjarje ndodhej edhe një trekëmbësh me një iPhone të vendosur, duke lënë të kuptohet se shpërthimi mund të jetë regjistruar me qëllim.

FBI konfirmoi në një konferencë për shtyp se bëhet fjalë për një sulm të paramenduar. “Ky ishte një veprim i qëllimshëm terrorist. Po punojmë për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me terrorizëm të brendshëm apo të jashtëm,” deklaroi Akil Davis, drejtuesi i FBI-së në Los Angeles.

Hetimet paraprake tregojnë se shpërthimi u shkaktua nga një mjet shpërthyes i përgatitur në mënyrë artizanale dhe i vendosur në një makinë. Zhurma u ndie në një rreze mbi një milje dhe disa ndërtesa përreth pësuan dëmtime, tha shefi i policisë së Palm Springs, Andy Mills.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb