Forcat e Armatosura sot vlerësohen nga qytetarët shqiptarë si institucioni më i besueshëm. Në 108-vjetorin e themelimit, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka shpreh krenarinë për ndryshimet dhe arritjet e kësaj force.

“Në 108 vjet Forcat e Armatosura kanë pasur një histori plot drama e suksese, dhimbje e gëzim, ulje e ngritje. Një histori që ndërthuret e bëhet njësh me historinë e Shqipërisë e shqiptarëve. Sot unë ndihem krenare që Forcat e Armatosura vlerësohen nga shqiptarët si institucioni më i besueshëm e i respektuar, ashtu si ndihem krenare kur partnerët e aleatët tanë vlerësojnë performancën e djemve e vajzave tona me uniformë dhe përparimin e madh që FA kanë bërë”, shkruan Ministrja Xhaçka, në një status në rrjetet sociale.

Ajo shton se, “ka ende shumë punë për të bërë, por është fakt që FA sot është një forcë më moderne, më profesionale, me ushtarakë që arsimohen e stërviten njësoj si kolegët e tyre të NATO, ndërkohë që trajtohen sot financiarisht e janë sot të pajisur shumë herë më mirë”.

Ministrja e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për këdo që ka kontribuuar për FA. “Mirënjohje e krenari për ata djem e vajza që me punën e tyre po e shndërrojnë FA realisht në një forcë të standardeve të NATO”, shprehet Xhaçka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb