UKRAINË- Kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk, ka thënë se forca ruse kanë hyrë në territorin e Ukrainës. Lajmi është raportuar nga mediat ukrainase. “Kam folur tashmë me mbrojtjen kombëtare dhe me sekretarin e Këshillit të Sigurisë. Shërbimet sekrete ushtarake të Ukrainës kanë konfirmuar faktin që një personel i konsiderueshëm ushtarak dhe mjete të rënda luftimi janë transferuar nga Rusia drejt Ukrainës”, është shprehur kryeministri Yatsenyk. Në vazhdim të fjalës së tij, ai thotë se “tanke, sisteme të shumëfishta raketore (GRAD), sistemet BUK dhe SMERCH, sisteme radio-elektronike të zbulimit nuk janë shitur nëpër tregjet lokale të Donjeckut. Por ato zotërohen vetëm nga ushtria ruse dhe Ministria e tyre e Mbrojtjes”. Zëdhënësja e Kryeministrit, Olga Lappo, konfirmon për CNN se citimet e medias vendase që i atribuohen kryeministrit Yatsenyuk janë tërësisht të sakta. Ndërkohë që zyrtarët rusë nuk janë shprehur ende për këtë raportim. Raporti i publikuar në media vjen vetëm një ditë pas mbledhjes së disa protestuesve në “Sheshin e Pavarësisë” në Kiev në një marshim paqësor të sponsorizuar nga shteti, ku mes të tjerëve morën pjesë edhe Yatsenyuk dhe Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko. Slogani i marshimit ishte “Unë jam Volnovakha”, në përkujtim të 13 pasagjerëve që humbën jetën pranë qytetit të Volnovakhas, pasi autobusi i tyre u godit nga zjarri i artilerisë së rëndë më 13 janar. “Do të kujtojmë çdo hero ukrainas, që ka dhënë jetën për shpëtimin e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, ishte shprehur Presidenti Petro Poroshenko. “Nuk do të tërhiqemi aspak nga toka jonë”. Ndërkohë, ka reaguar edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini, e cila tha sot se situata në terren në Ukrainë është “më e keqe se javën e kaluar” dhe e ka përjashtuar mundësinë që sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë të zbuten, pa implementimin nga ana e Moskës të marrëveshjeve të Minskut.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë mund të ndryshojnë vetëm atëherë kur përkushtimet, që janë marrë në Minsk të implementohen, dhe më lejoni të them se zhvillimet e fundit në terren nuk janë inkurajuese”, tha sot zonja Mogherini, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione ekonomike kundër Rusisë, pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, në muajin mars të vitit të kaluar. Perëndimi, po ashtu, e akuzon Rusinë për dërgimin e trupave dhe armatimit në pjesën lindore të Ukrainës, për t’i mbështetur separatistët. Moska i ka hedhur poshtë këto akuza. Ministri i jashtëm i Lituanisë, Linas Antanas Linkevicius, tha se Moska nuk “ka treguar vullnet politik, prandaj nuk ka arsye për ndryshim të politikës”.

(os.de/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: