SHKUP- Deputetët e LSDM-së nuk do të marrin pjesë në punimet e Kuvendit derisa Gjykata Kushtetuese nuk prononcohet për kushtetutshmërinë e Ligjit për Prokurorinë Speciale. Këtë e ka bërë të ditur lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili ka ftuar edhe partitë e tjera të marrin një vendim të tillë për të treguar se e mbështesin punën e PSP-së.

“Dua ta bëj të qartë se, LSDM-ja dhe koalicioni nuk do ta braktisin Kuvendin. Ne përkohësisht ngrijmë punën tonë dhe aktivitetet në Kuvend dhe në trupat kuvendor. Nuk e dëshirojmë një gjë të tillë. Ky është vetëm një hap qëllim mirë, si apel për Gjykatën Kushtetuese të thirret dhe të miratojë vendim për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Lideri opozitar daljen nga kriza e sheh përmes sundimit të së drejtës dhe zgjedhjeve demokratike. Zaev është i interesuar që votimet të mbahen më 6 nëntor dhe ftoi partitë në pushtet VMRO-DPMNe dhe BDI që të tregojnë më tepër gatishmëri për përmbushjen e reformave për zgjedhje demokratike.

“Mund vetëm të ëndërrojnë që zgjedhjet të mbahen në vitin 2018. Këtë nuk e bëmë për të qeverisur. Çka mendojnë të arrijnë marrëveshje dhe të mbesin në pushtet deri në vitin 2022. Kjo është një bandë kriminale dhe duhet të ikë sa më parë nga pushteti. Ne nuk jemi kundër që të mbahen zgjedhje bashkë me ato lokale, por qytetarët dhe Maqedoni do të humbin gjashtë muaj shtesë. Le të shkojmë në votime në vjeshtë”, tha Zaev. Nga ana tjetër zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, thotë se është herët për tu biseduar për afatin dhe datën e zgjedhjeve pasi ende nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete për kushtet që duhet plotësuar për zgjedhje demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

“Sa i përket takimit të liderëve, takim do të ketë atëherë kur në tavolinë do të ketë diçka thelbësore për tu diskutuar. mendojmë se janë të panevojshme takimet për shou, por duhet të ketë diçka konkrete nga grupet punuese që të mund liderët të vendosin më tutje. Ajo çfarë është me rëndësi është se BDI ka refuzuar të bisedojë për datën e zgjedhjeve derisa partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për listën zgjedhore dhe reformat në media. Mendojmë se nuk duhet të tallemi me qytetarët dhe zgjedhjet”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani. Ndërkohë, në procesin e bisedimeve për zgjedhje korrekte, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, ka kërkuar që krahas katër partive politike të përfshihen edhe përfaqësuesit e qytetarëve që po protestojnë kundër qeverisë./alsatM
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: