Presidenti i Republikës dekretoi dje shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun.
Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku, ka një karrierë të gjatë e të spikatur ushtarake.
Aktualisht ai mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës së NATOs në periudhën 2013-2014.
Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji.
Gjeneral Brigade Kollçaku ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Europiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.
PËRPLASJA
Ish-presidenti Nishani kishte refuzuar të dekretonte për një mandat tjetër ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Bazo, në nëntor të 2016-s.
Arsyet e këtij mosdekretimi sipas zyrës së presidentit ishin shkelja e Kushtetutës që gjenerali Baze ka kryer duke mos raportuar asnjëherë dhe duke mos dhënë asnjë informacion te presidenti për planet e veprimit të Forcave të Armatosura, si dhe shkelja e ligjit të zinxhirit komandues të FA, duke hequr nga përdorimi qindra prona pa miratimin e kreut të shtetit.
Pasi i përfundoi mandati 3-vjeçar më 7 nëntor 2016, Kryeministri Rama dërgoi në Presidencë propozimin për një mandat të dytë dhe të fundit të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Bazo. Por Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, refuzoi ta dekretonte.
Presidenti pretendoi gjithashtu se Gjenerali Jeronim Bazo i ka hequr mundësinë e përdorimit nga Forcat e Armatosura të qindra pronave pa miratimin e kreut të shtetit, detyrim që ia jep ligji për zinxhirin komandues të Forcave të Armatosura.
DEKRETI
Në mbështetje të nenit 93 dhe pikës 3 të nenit 169 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të germes “b”, pikës 3 të nenit 9 të ligjit nr. 64/2014: “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit,
Dekretoj
Neni 1
Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza KOLLÇAKU, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjeherë.
Nr. i Dekretit 10598
Tiranë, më 28.08.2017
PRESIDENTI I REPUBLIKËS/ ILIR META
Kush është shefi i ri i Ushtrise
Gjeneral Brigade Bardhyl KOLLÇAKU, ka lindur më 05.06.1967, në Pëllumbas, Berat.
Ka përfunduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficereve dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Zbulim”, në vitin 1990. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer Kolegjin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Tiranë, Kolegjin e Shtabeve të Bashkuara, si dhe Kolegjin e Komandës & Shtabit në SHBA.
Ka përfunduar studimet për Master Shkencor, Administrim Publik, në UT, në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, si dhe ka mbrojtur Doktoraturën në fushën e mbrojtjes.
Gjeneral Brigade Kollçaku ka përfunduar gjithashtu Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, si dhe Kursin Ndërkombëtar të Oficerit për Taktikë dhe Inteligjencë në SHBA. Në jetëshkrimin e tij të pasur akademik, ndërmjet te tjerash, përfshihet Kursi Themelor i Oficerit të Shtabit, Kursi i Forcave Speciale dhe Kursi Ekzekutiv i Sigurisë në Qendrën Marshall, në Garmisch, Gjermani.
Gjeneral Brigade Kollçaku, ka kryer detyra të ndryshme si: Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit dhe Monitorimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Drejtor i Drejtorisë së Politikave Strategjike dhe Shef Kabineti i Shefit të Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Gjeneral Brigade Kollçaku ka dhënë kontributin e tij ne krijimin e funksionimin e Sekretariatit te SEDM-CC, e para strukturë ndërkombëtare e Ministrisë së Mbrojtjes. Ka kryer detyra të ndryshme si oficer shtabi dhe shef sektori në drejtoritë e zbulimit, planifikimit dhe marrëdhënieve me jashtë.
Pas anëtarësimit te Shqipërisë në NATO, Gjeneral Brigade Kollçaku ishte ndër oficerët e parë të emëruar në shtabet e Aleancës, fillimisht si oficer shtabi dhe më vonë si Drejtor i Drejtorisë së Integrim-Koordinimit PfP, në SHAPE, Belgjikë.
Eksperienca e tij me trupën ka filluar si komandant toge në batalionin e mbështetjes të SHPFA, komandant kompanie dhe shef zbulimi në BrK, dhe kulmon si Komandant i Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, në Brigadën e Reagimit të Shpejtë”, i vlerësuar dhe çertifikuar nga NATO.
Gjeneral Brigade Kollçaku ka shërbyer si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji (UNOMIG).
Gjeneral Brigade KOLLÇAKU është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake.
Gjeneral Brigade KOLLÇAKU flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë të rritur./panorama
