Ish-­drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, Luiza Tabaku, dërgohet në gjyq nga Prokuroria me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”. Ajo akuzohet se ka marrë ryshfet në disa raste për punësimin ose mbajtjen në punë të mësuesve të ndryshëm në zonën e Lushnjës.

I akuzuar në të njëjtën dosje të dërguar në Gjykatë edhe djali i ishdrejtoreshës, Xhonluko Tabaku, i hetuar në masën “arrest në shtëpi”, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Personi i tretë i vendosur nën akuzë është Rigert Zeneli, i akuzuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm në rolin e ndërmjetësit, mes personave që jepnin ryshfet dhe ish­drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë. Në kërkesën për gjykimin e çështjes, Prokuroria ka zbardhur në detaje rastet e ndërhyrjes së djalit të drejtoreshës dhe ndërmjetësit, si dhe marrjen e shumave nga 3 deri në 5 mijë euro nga ana e Luiza Tabakut.

“KAFEJA” NGA TË PUNËSUARIT

Nga procesverbalet e transkriptimit të disa prej bisedave të zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë midis drejtoreshës dhe qytetarëve të ndryshëm të interesuar, rezulton se këta të fundit i premtojnë dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit. Edhe nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të zhvilluara midis të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezultojnë biseda me interes për hetimin. Në shumë raste, këta dy shtetas bisedojnë me njëritjetrin për mundësitë e emërimit, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të ndryshme parash, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro.

DJALI SEKSER PËR VENDE PUNE

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezulton se ky i fundit zhvillon biseda me persona të ndryshëm, të cilët interesohen për veten ose për të afërm të tyre për të filluar ose qëndruar në punë në arsim. Madje, në një rast, Xhonluko gjatë komunikimit telefonik me një shtetas të quajtur “Hysa” (identiteti i saktë i të cilit nuk u arrit të saktësohej nga hetimi) nëpërmjet telefonit të babait të së fejuarës së tij ka zhvilluar një bisedë, nga përmbajtja e së cilës kuptohet qartë se Xhonluko ka marrë përsipër t’i “rregullojë” vajzës së bashkëfolësit regjistrimin në fakultet në degën Gjuhë­Letërsi”, kundrejt shumës prej 3500 euro, të cilat i ka marrë paraprakisht. Gjatë bisedës, bashkëfolësi “Hysa” i kërkon Xhonlukos t’i kthejë paratë, përndryshe e kërcënon duke i thënë se do ta bëjë publik rastin. Rezulton nga biseda se personi me emrin “Hysa” është i pakënaqur me degën Italisht, që Xhonluko i ka rregulluar vajzës së tij, pasi është rënë dakord më parë për degën Infermieri, më pas për Gjuhë-­Letërsi dhe në përfundim për Italisht.

EMËRIMET PAS RYSHFETIT

Pas zhvillimit të këtyre bisedave, Xhonluko komunikon për secilin nga rastet e “interesuara” me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e informon mbi vendet vakante dhe mundësitë e lëvizjes apo të transferimit në komuna të ndryshme apo në shkollat e qytetit të Lushnjës. Rezulton nga përgjimet se në të shumtën e rasteve Xhonluko takohet dhe personalisht me personat e interesuar, të cilëve u përcaktonte tarifat në para në varësi të vendit të ofruar, tarifa të cilat rezultojnë edhe nga përgjimet telefonike. Në disa raste, gjatë takimeve janë dorëzuar dhe shumat e parave të kërkuara prej Xhonlukos (shtetasi S.H dhe Rigert Zeneli). Pas dorëzimit të parave nga këta persona, e pandehura Luiza Tabaku përgatiste urdhrin për emërimin apo komandimin në detyrë, të cilin ua dorëzonte personalisht ose në rrugë zyrtare personave në fjalë.

DËSHMITARËT

Referuar deklarimeve të shtetasve E.M. dhe I.M., rezulton se për t’u emëruar si mësues i edukimit fizik, ky i fundit i ka dhënë shtetasit Xhonluko Tabaku nëpërmjet një personi të tretë shumën prej 3000 eurosh. Menjëherë pas dhënies së parave, ky shtetas ka filluar punë në arsim. Po kështu, në disa raste, për shkak të shumave të mëdha të parave të kërkuara nga Xhonluko, personat e interesuar nuk kanë vazhduar bisedimet me të, fakt i cili konfirmohet si nga përgjimet telefonike, ashtu edhe nga deklarimet e këtyre shtetasve. Shtetasit B.SH. dhe E.K., të cilët kanë përfunduar studimet e larta për edukim fizik dhe kanë pasur biseda dhe takime me të pandehurin Xhonluko, të cilit i kanë kërkuar t’i ndihmonte për të filluar punë në arsim. Për çdo vend vakant që Xhonluko u ofron këtyre shtetasve, më parë konsultohet me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e sqaron për vendet më të përshtatshme.

NDARJA E PARAVE

Më datë 20.11.2014 është autorizuar kryerja e përgjimit të fshehtë audio dhe video në vende publike, si dhe komunikimeve në këto vende, midis shtetasve Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku. Gjithashtu, duke parë rëndësinë e komunikimeve të të pandehurit Rigert Zeneli me të pandehurin Xhonluko Tabaku, është lejuar me vendim prokurori përgjimi i komunikimeve telefonike të këtij shtetasi, i cili është vleftësuar dhe nga Gjykata e Lushnjës. Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave rezulton se Xhonluko Tabaku ka kryer një bisedë me të pandehurin Rigert Zeneli, mësues në shkollën e fshatit Allkaj, për të lejuar qëndrimin në punë të shtetasit G.SH., edhe ky mësues në të njëjtën shkollë. Më datë 19.11.2014, midis numrave të telefonit …888 që i përket të pandehurit Xhonluko Tabaku dhe numrit të telefonit ….293 që i përket të pandehurit Rigert Zeneli, janë dërguar këto SMS: “Merri 1300 euro. 50 euro mbaji vetë të tjerat merja nsr ti e po vi ti marr unë. T ngelet mes nesh ok?”((SMS i dërguar nga Xhonluko). “O Xhon 130 apo një mijë e 300?” (SMS i dërguar nga Rigert Zeneli) “1 mijë e 3 qind se ky del i papunë mo vlla.dhe kaq t thot flm se ngelet jashtë sistemit fare” (SMS i dërguar nga Xhonluko). Më pas, Xhonluko ka folur edhe me nënën e tij Luiza Tabaku, të cilën e ka pyetur për shumën e parave që do t’i kërkonte G.SH., duke rakorduar për 100 000 (njëqindmijë) lekë. Ndërkohë, Luiza i ka thënë Xhonlukos se këtë problem do t’ia mbyllte ajo, pasi është siguruar se ky i fundit kishte “mbaruar punë”. Gjithashtu, e pandehura Luiza Tabaku ka komunikuar edhe vetë në telefon me shtetasin G.SH., të cilin e ka siguruar se do ta ndihmonte, pa qenë nevoja të jepte provimin e shtetit. Gjatë përgjimit të fshehtë fotografik dhe filmik, nga oficeri i Policisë Gjyqësore i ngarkuar me këtë detyrë, janë konstatuar më datë 22.11.2014, rreth orës 12:30, në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj, komuna Allkaj, të rrethit Lushnjë, të pandehurit Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku. I pandehuri Xhonluko Tabaku ka ardhur me mjetin tip Mercedes Benz C­Class me targa AAxxxIY dhe ka ndaluar në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj dhe aty është takuar në këmbë me të pandehurin Rigert Zeneli. Pasi kanë biseduar për pak sekonda me njëri­tjetrin, i pandehuri Rigert Zeneli i ka dhënë të pandehurit Xhonluko Tabaku një shumë lekësh në formë mite sipas bisedës së rënë dakord më parë në telefon.

 

(m.k/Gazeta Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb