TIRANË- Partia Demokratike duket se e ka gjetur gjuhën e përbashkët me Partinë Republikane, Ballin Kombëtar, Legalistët apo Ballin Kombëtar Demokrat.

“Panorama” duke iu referuar burimeve të veta shkruan sot se gjatë bisedimeve palët kanë rënë dakord për mënyrën e përzgjedhjes së nënkryetarit të Bashkisë që do të fitohet nga koalicioni i djathtë. Kështu, çdo parti e koalicionit që do të marrë mbi 5 për qind të votave do të ketë të drejtën e nënkryetarit në bashkinë përkatëse. Ndërkohë që një tjetër pikë është dhe ndarja në bazë proporcionale e administrimit të bashkive. Duke dhënë hapësirën e kryesimit të njësive administrative, mbështetur në votat që partia përkatëse do të marrë në zgjedhje. Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë sot duhet të përfundojnë marrëveshjet, për të vijuar me regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

KANDIDATËT

Deri më tani, Partia Demokratike ka përcaktuar 50 kandidatë për kryetarë bashkish. Prej të cilëve, dy kandidatura u janë dhënë republikanëve, një në Shijak dhe Librazhd. Ndërsa sot pritet të përfundojnë bisedimet mbi kandidatin në Memaliaj ose në Bashkinë e Tepelenës. Gjithsesi, Mediu ka nënvizuar se e rëndësishme është që të arrihet në kandidatin më të mirë fitues dhe jo në përcaktimin se kujt partie do t’i takojë ai. Nga ana tjetër vijojnë bisedimet me Partinë Lëvizja e Legalitetit për të gjetur gjuhën e përbashkët në një kandidat të kësaj partie. Për sa u përket partive të tjera, negociatat janë përqendruar në bashkëpunimin për administrimin e votave, si dhe për marrëveshjen që do të kenë palët pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Por, duket se vijimi i negociatave ka lënë të pakënaqura katër nga partitë me të cilat u nis koalicioni.

BISEDIMET

Një javë më parë, Partia e Minoritetit Etnik Grek, MEGA, deklaroi ndërprerjen e negociatave me Partinë Demokratike dhe daljen me kandidatë më vete në zgjedhje. Ndërkohë, edhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës dhe Lidhja Demokristiane e Mhill Gecajt kanë deklaruar daljen nga koalicioni i PD­-së.

Madje Ndoka njoftoi bashkëngjitjen me partitë e koalicionit qeverisës. Po ashtu edhe Sazan Guri i Aleancës Europiane Ekologjike ka vendosur të mos jetë pjesë e koalicionit, duke deklaruar kandidimin më vete në Tiranë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: