Denoncime nga dhjetra qytetarë të mashtruar, dhe qindra mijëra lekë të përvetësuara në mënyrë abuzive çuan pas hekurave noteren 40-vjeçare Rezarta Koçi, e cila do të përgjigjet para drejtësisë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për BalkanWeb të tjera detaje nga arrestimi i noteres.

Noterja u arrestua nga Policia e Tiranës pasi hetimet disa mujore zbuluan se gjatë ushtrimit të detyrës ka shpërdoruar detyrën dhe ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme monetare nga qytetarë të ndryshëm. Noterja u merrte shuma të ndryshme parash qytetarëve duke u premtuar shërbime të cilat nuk ua jepte.

Kjo nuk është hera e parë që noterja ka qenë në konflikt me ligjin. Më 26 maj 2021, noteres Rezarta Koçi i është hequr licenca e ushtrimit të profesionit të noterit nga ministrja e Drejtësisë së asaj kohe Etilda Gjonaj.

Kjo pasi në adresë të Ministrinë e Drejtësisë kishte mbërritur një e-mail nga një shtetas, i cili njoftonte përdorimin në mënyrë jo të rregullt të llogarive bankare nga ana e noteres. Nga verifikimet rezultoi se noterja Rezarta Koçi gjatë veprimtarisë noteriale nuk ka respektuar në përgjithësi dhe në mënyrë të përsëritur kërkesat e ligjit për noterinë dhe gjë që i solli heqjen e licencës së saj, raporon BalkanWeb.

Konfliktet e hapura që noterja kishte me qytetarë të ndryshëm që u kishte marrë para dyshohet se fshihen pas sulmit me tritol që iu bë makinës ‘Range Rover’ të noteres më 5 nëntor të vitit të kaluar. Makina ishte parkuar në zonën e Komunës së Parisit, kur një sasi e vogël tritoli shpërtheu në pjesën e përparme të saj duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Policia dhe prokuroria po vijon hetimet pasi ka dyshime se noterja bashkëpunonte dhe me persona të tjerë mes tyre edhe biznesmenë për të përvetësuar para nga qytetarët dhe për të kryer falsifikime.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb