“El Mundo” në Spanjë ka publikuar në fakt një sërë e-mail-esh që hedhin dritë mbi rinovimin e Messit te Barcelona, që nuk erdhi. Mes tyre shfaqet një e-mail që përmban të gjitha kërkesat e kampionit argjentinas për të nënshkruar rinovimin e kontratës në vitin 2020.

Siç dihet tashmë, Messi nuk arriti të gjente një marrëveshje me drejtuesit blaugrana. Kjo më pas çoi në skandalin “burofax”, ndryshimin e presidencës dhe në fund lamtumirën e trishtë me Barcelonën, pastaj transferimi falas te PSG.

E-maili me të gjitha kushtet e “Pleshtit” është i datës 11 qershor 2020, dërguar nga avokati Jorge Pecourt te ish-presidenti Bartomeu. Dokumenti përmban të gjitha kërkesat e Messit, duke përfshirë më kryesoren, një kontratë deri në vitin 2023 me mundësinë e zgjatjes së njëanshme nga lojtari.

Për sa i përket pagës, Messi kërkoi një ulje prej vetëm 20% për vitin 2020, duke rikuperuar më pas 10% vitin e ardhshëm dhe 10% një vit më pas. Më pas, argjentinasi kërkoi pagesën e bonuseve të papaguara të besnikërisë me interes dhe rritje të pagës në rast të rritjes së taksave.

Më pas kërkoi një kontratë tjetër prej 10 milionë euro, e pagueshme në vitin 2023, dhe eliminimi i klauzolës së përfundimit (e vendosur në një shumë simbolike prej 10.000 euro). Messi kërkonte edhe një fluturim privat për të festuar Krishtlindjet me familjen e tij në Argjentinë.

Së fundi, argjentinasi kishte vendosur si kushte pagesën e komisioneve për Rodrigo Messi (vëllain e tij të madh) dhe zgjatje të kontratës edhe për Pepe Costa, në krye të klubit blaugrana për të ndihmuar lojtarët në aktivitetet ekstra-futbollistike, me të cilin argjentinasi kishte një marrëdhënie të ngushtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb