Ka përfunduar restaurimi i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, i cili ka publikuar edhe një video ku shfaqen ndërhyrjet e realizuara dhe pamja e re e godinës.

Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm në procesin e rikonstruksionit dhe konservimit të muzeut, ndërsa tashmë pritet të vijojnë fazat e tjera të projektit, që përfshijnë përforcimin strukturor, rimuzealizimin dhe rikonceptimin e institucionit.

Restaurimi është realizuar në kuadër të programit EU4Culture, me financim nga Bashkimi Evropian dhe zbatim nga UNOPS, pas ndërhyrjes së mëparshme në mozaikun monumental të fasadës.

Projekti mbështetet gjithashtu nga një grant i Bankës Europiane të Investimeve me vlerë 350 mijë euro, i cili ka financuar shërbime këshillimore për restaurimin dhe rindërtimin e muzeut.

Ky fond ka shërbyer për përgatitjen dhe projektimin teknik, mbikëqyrjen dhe menaxhimin e ndërhyrjeve, me synimin që godina të përmbushë standarde bashkëkohore të efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe kushteve për vizitorët.

Muzeu Historik Kombëtar u mbyll për publikun më 15 mars 2024 dhe pritet të qëndrojë i mbyllur deri në vitin 2028, kur është planifikuar rihapja e tij pas përfundimit të plotë të projektit të restaurimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb