Mëlçia është organi më i madh në trup dhe ka disa përgjegjësi shumë të rëndësishme: të filtrojë gjakun në trup, të përpunojë lëndët ushqyese, ndihmon në luftimin e infeksioneve, në prodhimin e proteinave të nevojshme për mpiksjen e gjakut etj.  Të gjitha këto funksione bëjnë që ajo të jetë e sulmuar nga të gjitha anët, duke rritur rrezikun për zhvillimin e problemeve me mëlçinë, cirrozës, madje edhe kancerit. Shumë njerëz e lidhin dëmtimin e mëlçisë me abuzimin me alkoolin, kur në fakt shumë faktorë të tjerë e rrezikojnë atë, duke filluar nga gjendja shëndetësore, përdorimi i ilaçeve të ndryshme, mënyra e jetesës etj.
1.Obeziteti: Obeziteti mendohet se luan një rol në sëmundjen e dhjamosjes së mëlçisë jo për shkak të alkoolit. Kjo sëmundje shfaqet kur depozitohet shumë dhjam në qelizat e mëlçisë. Nuk dihen akoma me saktësi shkaktarët e kësaj sëmundje, megjithatë gjendja lidhet gjithashtu me sindromën metabolike, tensionin e lartë të gjakut dhe nivelet e larta të triglicerideve, përveç obezitetit. Nëse formohet shumë dhjam në qelizat e mëlçisë, mund të zhvillohet cirroza e mëlçisë. Njerëzit mbi 40 vjeç janë më të rrezikuar nga kjo sëmundje, edhe pse janë hasur raste edhe tek adoleshentët obezë. Duke qenë se mbipesha dhe obeziteti mund të dëmtojnë mëlçinë po aq sa alkooli, është e rëndësishme të mbani një peshë të shëndetshme për një mëlçi të shëndetshme, njofton lajmi.net.
2.Pijet e gazuara dhe me sheqer: Pijet e gazuara të mbushura me sheqer janë një shkaktar i pashmangshëm i shtimit në peshë, prandaj nuk është për t’u çuditur përse ato futen në listën e zezë të “armiqve të mëlçisë”. Një studim i fundit, i publikuar tek Revista e Hepatologjisë, ka zbuluar se njerëzit që pinë 1 ose më shumë pije të ëmbëlsuara me sheqer artificial në ditë janë më të rrezikuar nga dhjamosja e mëlçisë, krahasuar me personat që nuk konsumojnë fare pije të gazuara. Rreziku është edhe më i lartë tek njerëzit që janë mbipeshë ose obezë. Një studim i kahershëm ka zbuluar se njerëzit që konsumojnë 2 pije me sheqer në ditë për 6 muaj shfaqin shenja të sëmundjes së dhjamosjes së mëlçisë.
3.Hepatiti: Hepatitet kronike B dhe C janë përgjegjëse për shumicën e rasteve me kancer të mëlçisë në të gjithë botën. Hepatiti C përhapet zakonisht nëpërmjet kontaktit me gjakun e infektuar, që do të thotë se mund të prekeni nga ai nëse përdorni të njëjtën gjilpërë, kryeni marrëdhënie seksuale pa përdorur masa mbrojtëse (edhe pse kjo është më pak e zakonshme) dhe shumë rrallë nga transfuzionet e gjakut. Bërja e një tatuazhi me një gjilpërë të infektuar gjithashtu ju vë në rrezik. Infeksionet kronike të hepatitit C mund të kurohen me ilaçe, megjithatë e rëndësishme është që të diagnostikohen në kohë: kësaj sëmundje i referohen shpesh si “vrasësi i heshtur”, duke qenë se shumë njerëz nuk e dinë që kanë hepatit, dhe mund të çojë edhe në cirrozë dhe kancer të mëlçisë, deri edhe në vdekje nëse lihet pa trajtuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: