Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Yale, theksoi se në Ukrainë po përcaktohet fati global i demokracisë.

“Është e rëndësishme për të gjithë botën që Rusia të humbasë tani në luftën në Ukrainë. Kur fitojmë për veten tonë, do të fitojmë për kombet e tjera, liria e të cilëve është potencialisht nën sulm: ambiciet e fronit rus dihen”, tha Zelensky .

“Në emër të popullit ukrainas, dua të falënderoj popullin tuaj për mbështetjen që i ofroni mbrojtjes sonë. Faleminderit liderëve tuaj, Presidentit Biden, të dy dhomave dhe partive të Kongresit, figurave publike dhe bizneseve që mendojnë se sa e rëndësishme është që demokracia ukrainase të qëndrojë”, tha ai.

Presidenti tha se është i sigurt se Rusia nuk ka asnjë shans për të fituar këtë luftë dhe për të shkatërruar ukrainasit dhe çdo komb tjetër të botës

“Tani për tani, dhe pikërisht në Ukrainë, po vendoset nëse pjesa jonë e botës do të jetë e lirë dhe demokratike. Në fund të fundit, kështu do të përcaktohet fati global i demokracisë. Këtë fat duhet ta përcaktojmë ju dhe ne, bota e lirë, jo Rusia dhe bashkëpunëtorët e saj. Besoj se kështu do të jetë!” theksoi Zelensky.

Më herët presidenti Zelensky falënderoi Shtetet e Bashkuara për një paketë tjetër ndihme mbrojtëse prej 275 milionë dollarësh për Ukrainën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb