Zdenek Zeman ësh të objektivi i madh i Partizanit. “Bohemi”, kështu e thërrasin prej dekadash çekun e italianizuar tashmë, e ka lënë të hapur opsionin për të drejtuar kampionët e Shqipërisë.

Pas lajmit të publikuar nga “RTSH Sport” se “demat” kërkojnë të zëvendësojnë Gegën me–ish-trajnerin e Romës dhe të Lacios, “Panorama Sport” kontaktoi vetë me 72-vjeçarin. I qetë, i sinqertë në deklaratën e tij dhe shumë i kujdesshëm. “Po, kam pasur një bisedë me dikë nga Shqipëria. Më pyetën nëse jam i disponueshëm për të negociuar dhe u thashë ‘po’.

Vetëm kaq. Nuk e di nëse do të realizohet diçka në të ardhmen apo jo. Do t’ia lëmë kohës”, deklaroi Zeman për gazetën. Ai nuk pranoi të jepte më pas komente të tjera nëse kishte ndonjë informacion për skuadrën e Partizanit, lojtarët e saj, apo edhe historinë e kampionëve të Shqipërisë. Ndërkaq, “Panorama Sport” mëson se Zeman është vetëm një ndër tre kandidatët me të cilat klubi i kuq po negocion. Bëhet fjalë edhe për dy trajnerë italianë me të cilët po zhvillohen bisedime nëse marrëveshja me Zemanin nuk finalizohet.

Kush është Zeman?

Burime pranë klubit të kuq kanë bërë me dije për “Panorama Sport” se drejtori i përgjithshëm, Olsi Rama, ndodhet në Itali dhe po bisedon me trajnerin Zeman, që ta bindë për të marrë drejtimin e Partizanit, i cili e nis sezonin e ri në fillim të korrikut me pjesëmarrjen në Champions.

Me sa duket, Partizani po ndjek gjurmët e Kombëtares, që i besoi një trajneri me moshë të madhe, por me eksperiencë në futboll, kryesisht në Itali. Zdenek Zeman është i datëlindjes 12 maj 1947. Ka lindur në Pragë, por pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar në Itali dhe posedon edhe pasaportë italiane.

Emri i Zemanit duket disi i çuditshëm për familjen e kuqe, për vetë faktin se drejtori Rama, por edhe disa dashamirës VIP janë tifozë të Juventusit, ekipi më i “urryer” dhe i kritikuar nga 72- vjeçari. Madje Zeman njihet edhe si kritiku dhe akuzuesi më i madh i Luçiano Moxhit, i cili para dy vitesh ishte në drejtim të Partizanit.

Trajneri çek shquhet edhe për numrin e madh të ekipeve që ka trajnuar gjatë eksperiencës së tij dhe për shkarkimet rekord, duke mos pasur jetëgjatësi në drejtim. Madje rekordin më të zi e ka në drejtimin e Cervena Zvezdës në Serbi, ku u shkarkua pas 5 ndeshjeve të para. Nën drejtimin e Zeman, serbët u eliminuan nga Kupa Uefa nga qipriotët e Apoel, si dhe në 3 ndeshjet e para në kampionat Zvezda nuk shënoi asnjë gol dhe pas 24 viteve arriti të ishte e fundit në klasifikim.

Karrierën më të lartë në drejtim Zeman e ka arritur duke drejtuar klube të njohura italiane, si Roma, Lacio apo Napoli, ndërsa suksesin e ka arritur me Foxhian dhe Peskarën duke i ngjitur nga Seria B në Seria A. Nuk drejton që nga marsi i 2018-ës. Trajneri çek është partizan i lojës sulmuese dhe skema e tij e preferuar është 4-3-3, një modul thuajse i aplikuar edhe nga të kuqtë në sezonin e fundit nën drejtimin e trajnerit Skënder Gega.

Nëse Zeman merr drejtimin e Partizanit, futbollistët e kuq i pret një “ferr” i vërtetë në stërvitje, pasi 72-vjeçari shquhet për ngarkesën e lartë që u jep lojtarëve. Madje, edhe vetë Zeman e ka pranuar se në përgjithësi futbollistë nuk e duan, pasi i lodh shumë në stërvitje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb