Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela motivoi prokurorët të mos tremben nga kërcënimet, pasi në këtë mënyrë sistemi njolloset dhe dobësohet. Ai kërkoi ndëshkim për këdo që vë në rrezik jetën e prokurorëve.

“Këto ditë kushdo ka ndjekur me shqetësim njoftimet për jetën e rrezikuar të dy kolegeve tona për shkak të detyrës. Ndërsa nga njëra anë këto fakte janë të rënda dhe duhet të marrin ndëshkimin sipas ligjit, nga ana tjetër duhet të na bëjnë më solidarë me njëri tjetrin e të kuptojmë se këto janë pengesa që mund t’i kapërcejmë vetëm duke qëndruar së bashku, përmes përkushtimit ndaj detyrës nga secili prej nesh. Vetëm ky qëndrim do të dekurajojë këdo që mendon se përmes kërcënimeve apo akteve të rënda të dhunës të drejtuara ndaj jetës së magjistratëve, mund të pengojë drejtësinë. Po kalojmë një periudhë të vështirë, të shoqëruar prej vitesh tashmë me një besim të ulët të opinionit publik tek ne. Nuk duhet të lejojmë që disa fenomene negative, të njollosin dhe njëkohësisht të dobësojnë angazhimin tonë të përbashkët në shërbim të drejtësisë.”, tha Çela.

 

Teksa renditi disa nga arritjet e institucionit që drejton, Kreu i Këshillit të Lartë të prokurorisë, Alfred Balla, tha se prokurorët sot janë më të mbrojtur se kurrë.

“Kemi ngritur zërin fort në mbrojtjen tuaj nga çdo sulm i padrejtë nga të gjitha anët e shoqërisë duke reaguar publikisht disa herë. Por e them me bindje se, sot, sistemi i prokurorisë e ndjen veten më të pavarur, më të vlerësuar, më të paguar e më të mbrojtur se kurrë.”, tha Balla.

Shqetësimet që lidhem me sigurinë e jetës së prokurorëve apo familjarëve të tyre janë shtuar së fundmi pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani i cili foli për një plan të Laert Haxhiut një emri të njohur të botës së krimit, që kishte vënë në shënjestër prokuroren e SPAK Doloreza Musabelliu dhe ish prokuroren e Lushnjës, Mirela Selimi, të cilat kishin hetuar masakrën e 2017 në Lushnje, me 2 të vrarë e 3 të plagosur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb