E ftuar këtë pasdite në “Frontline” në News24, me gazetaren Marsela Karapanço, deputetja e PD Albana Vokshi ka folur për zhvillimet e fundit në “frontin” blu e jo vetëm.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, dhe deklaratën e sotme të bërë nga Enkelejd Alibeajt, teksa tha se është detyrim i opozitës që të mos bojkotojë procesin, Vokshi u shpreh se nuk ka pasur mbledhje të Grupit Parlamentar të PD dhe se ai nuk ka asnjë tagër për ta mbledhur.

“Nuk ka pasur mbledhje të Grupit Parlamentar, nuk është thirrur, se di me ca tagri ende e thërret Alibeaj, por është kryesia që duhet ta thërrasë mbledhjen, Alibeaj mund të flasë në emrin e tij, e njeh vetëm vetja e vet, Balla dhe Rama. Nëse flet në emrin e tyre le të dalë dhe të flasë, por nuk flet në emrin tim, as të grupit parlamentar, ne nuk e njohim atë. Është e qartë! Sot, dje, pardje, nuk është mbledhur grupi parlamentar, por edhe sikur të mblidhej, nuk vendos për vijën politike të PD dhe procedura e presidentit kërkon vullnetin e partive politike. Janë forume drejtuese të PD që përcaktojnë vijën politike. Alibeaj nuk përfaqëson demokratët, demokratët në 22 maj dolën dhe votuan për kryetar Sali Berishën”, u shpreh ajo.

Vokshi shtoi se Alibeaj është bërë qesharak dhe se demokratët e kanë zgjedhur tashmë kryetarin e PD.

“Nëse rezoluta do ishte ndjekur nga Alibeaj, nuk do të ishte bërë qesharak. Kryetar në detyrë Alibeaj? Po a votuan demokratët? Kryetarin e zgjodhën… Del flet në emër të Ramës dhe Ballës dhe të Lulzim Bashës, sepse Rama dhe Basha mund të vazhdojnë të kenë një marrëveshje që i referohet dhe zgjedhjes së Presidentit”, deklaroi Vokshi.

“Është proces farsë. Rama është tallur me të gjithë, fillimisht u tall me grupin e tij, më kanë thënë kolegët e mi… pasi votuan, ça u bë pastaj? I futi me votu me zarfa, të nesërmen ca tha? Nuk do e nxjerr nga Grupi Parlamentar. U tall me pseudo-opozitës, për të nxjerrë emrat e vet, ne kemi thënë jo, për sa kohë nuk përcaktohet qartë që është opozita që do ta caktojë kandidatin për president, nuk marrim pjesë në farsë. Kemi autorizuar Luçiano Boçin dhe Oerd Bylykbashit për të kontaktuar dhe grupet opozitare, ka pasur biseda me partitë e tjera opozitare të cilat e kanë të qartë se Rama s’ka ndërmend t’ia japë emrin për kandidat opozitës. Ne nuk bojkotojmë por do marrim vendimin tonë me votë”, tha Vokshi.

Shansi i fundit në 29 maj, do çojë Grupi i Rithemelimit 20 firma për të çuar një emër për kandidat për President?

“Mandatohet Komisioni i përkohshëm i Rithemelimit të caktojë përfaqësuesit për gjeten e një qëndrimi të përbashkët me partitë opozitare, dhe nëse vendoset që propozimi vjen nga opozita patjetër, jo propozime kot emrash që të tallet, jo! Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e Kombit. Vendimi në rezolutë i PD është që nëse Presidenti do zgjidhet nga kandidaturat e opozitës së bashkuar, po marrim pjesë”, shprehet Vokshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb