Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë një interviste të dhënë në “Star Plus”, ka deklaruar se në zgjedhjet e 14 majit nuk ka diskutim për fitoren e opozitës në Bashkinë e Shkodrës.

Ai deklaroi se Shkodra kurrë nuk mundet të votojë rilindjen, pasi atë që ka bërë rilindja në qytet nuk ia ka bërë askush.

Sipas tij çdo faktor që nga 6 marsi është vetëm një faktor përshkallëzues pozitivisht për fitoren e opozitës së bashkuar në Bashkinë e Shkodrës.

“Nuk shikoj asnjë shqetësim në këtë drejtim. Për arsye sepse unë e di dhe e njoh Shkodrën shumë mirë. Shkodra është djepi i kauzave kombëtare dhe Shkodra nuk është lëkundur në momentet kur është lëkundur i gjithë vendi. Shkodra ka një orientim strategjik të jashtëzakonshëm. Partia e Lirisë në Shkodër rrënjët i ka dhe do t’i ketë në themelet më të mira të traditave shkodrane. Tek fisnikëria, tek patriotizmi, tek qytetaria e mbi të gjitha tek demokracia. Shkodra kurrë nuk mundet të votojë rilindjen. Atë që i ka bërë rilindja Shkodrës nuk ia ka bërë askush. Këto dëme që i ka bërë rilindja Shkodrës, nuk ia kanë bërë as pushtuesit më mizor. Këtë nëpërkëmbje që i ka bërë rilindja Shkodrës.

Çdo faktor që nga 6 marsi është vetëm një faktor përshkallëzues pozitivisht për fitoren e opozitës së bashkuar në Bashkinë e Shkodrës. Po të kemi parasysh që kur u bënë zgjedhjet në 6 marsi situate ka qenë totalisht e disfavorshme për opozitën edhe e paqartë për një pjesë të madhe të elektoratit. Që atëherë, kur zoti Berisha me kandidatin e tij realizuan një fitore historike dhe e quaj historike, sepse rreziqet ishin shumë të mëdha. Sepse dihet që në zgjedhje të pjesshme lokale, gjithmonë qeveria ka mundësi të përqendrohet, të ushtrojë trysni siç ndodhi realisht. Përveç faktorëve të tjerë që zoti Basha ishte kryetar de juro i Partisë Demokratike dhe shumë qytetarë shkodranë dhe menduan që kandidati tjetër dhe mund të kishte mundësira të fitonte. Dhe opozita nuk ishte kaq e bashkuar sa është sot. Për më tepër që atëherë ka rrjedhur shumë ujë dhe tani ka dalë mbi ujë dhe afera Rama-McGonigal dhe Shkodra e lexon shumë mirë. Është një aferë që tregon para gjithë botës dhe që u tregon dhe atyre shqiptarëve që nuk kanë dashur ta besojnë deri dje dhe kanë menduar që kjo është një shpikje e Berishës apo e Metës. Shkodra dhe shkodranët e kanë kuptuar se Edi Rama ka synuar dhe synon të ekzekutojë pluralizmin politik. Që do të thotë të ekzekutojë lirinë e shkodranëve dhe mbarë shqiptarëve. Pse? Që të vjedhë akoma më shumë. Pse? Që të mos japë llogari”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: