Nënkryetari i LSI, Luan Rama në një konferencë për shtyp ka theksuar se nesër në zgjedhje partia do të votojë dhe rikonfirmojë kryetaren Monika Kryemadhi.

Luan Rama thotë se rikonfirmimi i saj me votë do të jetë një mesazh mbështetje, solidariteti e vendosmërie për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.

Ai thekson se LSI nesër në zgjedhje do të jetë shembulli i transparencës duke zgjedhur forumet drejtuese me votat e anëtarëve.

”Nesër në 21 nëntor në gjithë Shqipërinë por edhe gjithkund në diasporë, Greqi, Itali, Gjermani e në të tjera vende të Europës, por edhe në SHBA anëtarët e LSI do të marrin pjesë në zgjedhjet për forumet drejtuese dhe për të mandatuar në një proces shumë të rëndësishëm të zgjëdhjeve brenda radhëve të tyre, strukturat që do drejtojnë LSI në fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit por edhe më tej për të përligjur në 4 vitet e ardhshme besimin e qytetarëve e anëtarëve për LSI.
Procesi i zgjedhjeve është moment i rëndësishëm për LSI sepse shënon fundin e një procesi riorganizimi, rikonfirmimi të anëtarëve të LSI dhe shënon çeljen e një etape të rej, të etapës që do të çojë në përmbysjen e madhe të Rilindjes që ka shkatërruar vlerën e besimit të qytetarëve, dhe nga ana tjetër për të përligjur besimin, mbështetjen dhe gjithë angazhimin e tyre për lsi.

LSI jo vetëm bëhet promotore, por shembulli më i mirë i transparencës i vlerës dhe pushtetit real të anëtarëve me votë, që do zgjedhin nesër kryetarin e ri të LSI që është rikonfirmim i kryetarit të LSI.
S’ka ndonjë sekret që nesër LSI do të votojë Monika Kryemadhin, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes e solidaritetit dhe vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit. ”- tha Luan Rama.

DEKLARATA E PLOTE
Nesër në 21 nëntor në të gjithë Shqipërinë, por edhe gjithkund në diasporë, në mënyrë të veçantë në vendet fqinje, në Greqi, Itali, Gjermani, të tjera vende të Europës, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarët e LSI-së do të marrin pjesë në zgjedhjet për forumet drejtuese dhe për të mandatuar në një proces shumë të rëndësishëm të zgjedhjeve brenda radhëve të tyre, strukturat që do të drejtojnë LSI-në, në fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit dhe më tej për të përligjur në 4 vitet që vijnë mandatin e besimit dhe të mbështetjes qytetare për të gjithë LSI-në.
Procesi i zgjedhjeve që do të zhvillohet nesër është një moment i rëndësishëm padyshim për të gjithë LSI-në, sepse shënon fundin e një procesi riorganizimi, ristrukturimi dhe rikonfirmimi të angazhimit të anëtarëve të LSI-së dhe nga ana tjetër shënon çeljen e një etape të re, të etapës që do të çojë në ndryshimin e madh me përmbysjen e klikës uzurpatore të Rilindjes që ka shkatërruar mbi të gjitha vlerën e padiskutueshme të besimit qytetar te vota dhe institucionet e zgjedhura dhe nga ana tjetër për të justifikuar dhe përligjur besimin, mbështetjen dhe gjithë angazhimin e tyre në mbështetje të LSI-së.
Edhe njëherë tjetër LSI jo vetëm bëhet pararendëse, jo vetëm bëhet promotore, por është shembulli më i mirë i transparencës, shembulli më i mirë i vlerës dhe pushtetit real që kanë anëtarët e saj, të cilët me votën e tyre do të zgjedhin nesër Kryetarin e ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që në fakt është rikonfirmim i mandatit të Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk ka ndonjë sekret që LSI do të votojë nesër Monika Kryemadhin në detyrën e Kryetarit të LSI-së, për të dhënë në këtë mënyrë mesazhin e mbështetjes, mesazhin e unitetit, mesazhin e solidaritetit dhe mbi të gjitha mesazhin e vendosmërisë për të fituar në zgjedhjet e 25 prillit.
Të dashur anëtarë të LSI-së kudo që jeni, të dashur militantë të LSI-së, të dashur të rinj e të reja që jeni bërë pjesë e armatës së madhe të ndryshimit dhe të fitores që e ka emrin LSI. Nesër ju të gjithë keni shansin dhe përgjegjësinë, që të demonstroni para shqiptarëve se çfarë do të thotë një forcë politike moderne. Keni shansin dhe mundësinë që t’i dëshmoni shqiptarëve se çfarë do të thotë një forcë politike që qytetarin, që anëtarin e saj e ka të shenjtë, që mbështetjen, inkurajimin dhe besimin tek individi anëtar i LSI-së e ka të shenjtë dhe këtë besim e kthen në institucion, këtë besim e kthen në vlerë, këtë besim e shndërron në energji të madhe për të bërë të mundur fitoren në zgjedhjet e 25 prillit.
Natyrisht 25 prilli do të ndajë përfundimisht 2 epoka: epokën e shëmtisë korruptive, epokën e qeverisjes kriminale të pseudorilindjes, për t’i çelur udhë epokës së qytetarit, epokës së shqiptarit, i cili duhet ta ndjejë dhe ta dojë Shqipërinë si shtëpinë e vet.
Nesër ju të gjithë anëtarë të LSI-së, por edhe simpatizantë, votues të saj, duhet të jeni bashkë për të demonstruar pikërisht atë që është themeli i suksesit tonë, forcën dhe solidaritetin tonë, vendosmërinë dhe impenjimin maskimal për të bërë të munduar edhe njëherë që të rikonfirmojmë nesër që LSI është forca politike, jo vetëm më moderne, por forca politike që është frymëzimi dhe inkurajimi i shqiptarëve për të bërë ndryshimin e madh.
Natyrisht nesër procesi i votimit ka rëndësinë e vet, prandaj gjatë gjithë ditës ne do të jemi online në sytë e qytetarëve dhe ju ftoj të gjithë anëtarët e LSI-së të votojnë nëpërmjet aplikacionit që do të mbërrijë në telefonin e tyre, çka është një aplikacion i vlefshëm vetëm për ata që kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. Ndërkaq anëtarët e tjerë që nuk kanë mundur ta marrin dot kartën e re, edhe për shkak të problemeve që shkaktoi periudha e bllokimit prej pandemisë, nesër duke u paraqitur në qendrën e votimit me kartën e vjetër të anëtarësisë mund të votojnë, por njëherësh të plotësojnë edhe formularin për t’u pajisur me kartën e re. Pra ndërkaq, përveç votimit online të fshehtë, të garantuar, i cili është padyshim modeli i parë i aplikimit në këtë cilësi dhe këtë standard në Shqipëri, ata që nuk e kanë këtë mundësi për shkak të mos pasjes së kartës së re, do të mund të votojnë pranë qendrave të votimit që janë hapur në të gjitha bashkitë.
“Bashkohulsi.al” është adresa, por bashkohu me LSI-në do të thotë bashkohu me fitoren për Shqipërinë. Prandaj nga nesër forca jonë e bashkimit të kthehet në uraganin e madh të ndryshimit për të fituar Shqipërinë në 25 prill të vitit të ardhshëm. Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb