Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që nuk po mban pezull vetëm Amerikën, por gjithë botën mbarë duket i paparashikueshëm. Skenaret më optimiste, flasin për një fitore të Biden, por nuk është e pamundur as fitorja e Trump.

E ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, përmes një lidhje telefonike, gazetarja e VOA-s, Keida Kostreci komentoi zhvillimet më të fundit atje.

“Diferenca është e vogël në disa shtete. Në secilin shtet ka ndryshime të papritura, mbetet vetëm të mbash frymën. Duhet të shikojmë konfiguracionet, pasi gjasat janë më shumë për Biden, por ka mundësi edhe për Trump. Që të fitonte ai duhet të merrte votat në Giorgia, Karolina e Veriut dhe Pensilvani si dhe do t’i duhet të ndryshonte numërimin në Arizona dhe Nevada që të plotësonte 270 votat. Kjo duket diçka e vështirë për tu realizuar. Megjithatë jo e pamundur. Ndërsa Biden mjafton të fitojë Nevadën dhe Arizonën dhe shpallet President, shkon fiks 270 vota”,- tha ajo.

Sa për tensionet në Pensilvani, ku republikanët i janë drejtuar gjykatave, gazetarja e VOA-s, u shpreh se:

“Cdo lloj zgjatje apo sfide ligjore është shqetësuese, jo thjesht për incidentet fizike apo të dhunshme që urojmë të mos këtë, por sa më shumë zgjatet procesi aq më shumë koklavitet situata politike. Ka pasur njëfarë vonese edhe në numërim, por gjëja më e rëndësishme është që të gjithë duan të jenë të kujdesshëm, e nuk duan ta thonë fjalën e fundit para kohe”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb