Nga 37 parti që kandidojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, si subjekte më vete apo pjesë e koalicioneve, vetëm 4 kanë aplikuar për pastërtinë e figurës së kandidatëve në raport me Sigurimin e Shtetit apo rolin e tyre gjatë regjimit komunist, ndonëse secila prej tyre ka marrë shkresë zyrtare nga Autoriteti i Dosjeve.

Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit të Dosjeve tha se presin ende kërkesa të partive. “Iu është bërë thirrje me letra direkte. Deri tani, katër parti kanë sjellë kërkesë për verifikim për kandidatët e tyre. E mira është që çdo parti ta bëjë këtë. Ne e kemi vënë re edhe në zgjedhje të tjera mungesën e dëshirës dhe vullnetit politik për t’u vetëpastruar dhe kemi propozuar për këtë arsye tre skenarë të ndryshëm se si mund të jetë e detyruar deklarimi i rolit të çdo kandidati në komunizëm”, tha Sula.

Asnjë nga partitë e mëdha, kandidate për formimin e qeverisë së ardhshme nuk ka qenë e interesuar të dijë pozicionet e kandidatëve të saj gjatë komunizmit. Nga më shumë se 1500 kandidatë, për verifikim kanë shkuar vetëm 161 emra. Procesi megjithatë po monitorohet.
“Në këtë fushatë vlen të përmendet monitorimi që po i bëhet verifikimit në raport me Sigurimin e Shtetit që nga ka ardhur nga Instituti i Studimeve Politike mbështetur nga Ambasada Amerikane. Opinioni publik nuk është indiferent ndaj aktiviteteve të strukturave të represionit. Prapë jiu bëj thirrje që në çdo kohë ta marrin parasysh shqetësimin e institucionit tonë, për sa kohë është shqetësim publik”, deklaroi Sula.

Ndonëse jemi 17 ditë para zgjedhjeve, Sula thotë se AIDSSH-ja, është e gatshme të verifikojë emrat në çdo kohë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb