Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, i ftuar në studion e emisionit “Open” në Neës24 ka komentuar mesazhet e ish-Presidentit amerikan Bill Clinton gjatë fjalimit të tij historik në Shqipëri.

Majko u shpreh se SHBA përmes Bill Clinton ka krijuar “fibrën e marrëdhënieve amerikano-shqiptare” , ndërsa e cilësoi thirrjen e tij për situatën në Kosovë si “thirrjen e një miku”.

Ai shtoi më tej se konflikti në Ukrainë ka ndryshuar rregullat e lojës për Perëndimin, teksa theksoi se SHBA dhe BE nuk po ndryshojnë pozitat ndaj Shqipërisë dhe Kosovës me qëndrimet e tyre.

Sa i përket situatës konkrete në Kosovë, Majko tha se nëse krijohet Asociacioni në Kosovë nuk do jetë diçka e përhershme apo një kthim si Republika Srpska në Bosnjë, pasi nuk ka numrat apo mungesën e garancive si atje.

SHBA përmes Clintonit kanë krijuar fibrën e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Thirrja e tij është thirrja e një miku. Shqetësimi në Perëndim është se për disa arsye karshi serbëve po aplikohen forma presioni të cilat ata i kanë aplikuar ndaj shqiptarëve. Për arsye nga më të ndryshmet ndryshon edhe fjalori i diplomacisë. Ka një lloj gjysmë habie se mos SHBA po ndryshon pozitat ndaj Shqipërisë dhe po marrin me të mira Serbinë duke “falur” interesat tona. Përgjigja ime është “jo”. Lufta e Ukrainës ka ndryshuar rregullat dhe Perëndimi po përpiqet të ketë marrëdhënie me shtetet që mund të kthehen në partnerë të Rusisë.

Serbia është ndër shtetet e rralla evropiane që nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Perëndimi po përpiqet të shmangë një front lufte ne Evropë. Nëse Ascociacioni bëhet nuk do jetë i përhershëm. E përhershme është pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO, etj, ndërsa Asociacioin është një moment. Një Republikë Srpska është matematikë, që serbët e Kosovës nuk mund ta kenë si ata në Bosnje. Po ashtu nuk ka garanci të tilla në Bosnje si SHBA dhe BE. Është një këshillë e miqve tanë për të negociuar një zgjidhje që të mos lejojë palë të treta të influencojnë Ballkanin”, u shpreh Majko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: