Gruaja e cila është bërë simbol i tragjedisë së Brukselit dhe sulmeve terroriste, që ndodhën në mars të këtij viti dhe që tronditën botën, është zgjuar nga koma pas gati një muaji.

Fotografia e stjuardesës Nidhi Chaphekar 42 vjec, duke qëndruar e shokuar dhe e mbuluar në pluhur dhe gjak pas sulmeve terroriste në Bruksel, ka bërë xhiron e botës, dhe madje u konsiderua si simboli i tragjedisë së Brukselit.

Ndryshe nga njëzet personat tjerë, ajo i mbijetoi shpërthimit në aeroportin Zaventem, kurse tani një muaj pas sulmit është zgjuar nga koma.

Pesëdhjetë për qind e trupit të saj është djegur, ka pësuar edhe thyerje të kockave ndërsa 25 ditë i ka kaluar në gjendje kome.

“Ka hapur sytë më ka shikuar dhe ka filluar të qeshë. I kam thënë se gjithçka do të bëhet mirë. Ajo bisedoi edhe me fëmijët tanë”, ka deklaruar bashkëshorti i saj Rupesh Chaphekar, duke shtuar se Nidhi i është nënshtruar disa ndërhyrjeve kirurgjike, dhe për këtë arsye nuk dihet sesa do të zgjasë shërimi i saj.

Nidhi është nga Mumbai dhe punon si stjuardesë në “Jet Airways”. Atë ditë të kobshme kur sulmuesit vetëvrasës të Shtetit Islamik sulmuan aeroportin Zaventem, ajo ishte duke shkuar në punë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: