Polonia tha se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të vizitojë vendin të mërkurën për bisedime me presidentin Andrzej Duda dhe do të takohet me ukrainasit që janë strehuar në Poloni.

Financial Times raportoi se oficerët rusë të sigurisë po “konfiskojnë pasaportat e zyrtarëve të lartë dhe drejtuesve të kompanive shtetërore” mes shqetësimeve për rrjedhjet e informacionit dhe dezertimet

Sipas Reuters-it, në Kostiantynivka, të Ukrainës lindore, gjashtë civilë u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën nga bombardimet ruse të dielën në mëngjes, tha një zyrtar i lartë ukrainas.

Një zyrtar i lartë ukrainas parashtroi planin që do të ndërmerrte Kievi pasi vendi të rimarrë kontrollin e Krimesë, përfshirë çmontimin e urës që lidh gadishullin me Rusinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Finlanda do t’i bashkohet aleancës ushtarake të martën, më pak se një vit pasi vendi paraqiti kërkesën e tij në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.

Zoti Stoltenberg u tha gazetarëve përpara një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s se Finlanda sjell në aleancë një ushtri të stërvitur dhe të pajisur mirë, pasi Turqia u bë vendi i fundit anëtar që dha miratimin për një proces që duhet të jetë unanim.

Zoti Stoltenberg tha gjithashtu se ai është “absolutisht i sigurt” se Suedia do të ndjekë Finlandën si një anëtare e re e NATO-s dhe se është një prioritet që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

Turqia ka shprehur kundërshtimin ndaj aplikimit për anëtarësim të Suedisë, kryesisht për shkak të asaj që Ankaraja thotë se Stokholmi është shumë i butë ndaj grupeve që Turqia i konsideron terroriste. Zoti Stoltenberg tha se beson se Suedia ka përmbushur hapat për të cilat ka rënë dakord në bisedimet me Turqinë për të zbutur këto shqetësime.

Ai tha gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin kishte kërkuar më pak prani të NATO-s në krahun lindor të aleancës përpara pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe se me ofertat e Finlandës dhe Suedisë, Presidenti Putin po përballet me të kundërtën.

“Ai po përballet me më shumë prani të NATO-s në pjesën lindore të aleancës dhe do të përballet me dy anëtarë të rinj, Finlandën dhe Suedinë”, tha zoti Stoltenberg.

Ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s përgatiten për bisedimet e tyre, sekretari Stoltenberg tha se ka një nevojë urgjente për armë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse në mbështetje të Ukrainës dhe u bëri thirrje aleatëve që të “qëndrojnë dhe të shtojnë më tej” mbështetjen e tyre. Ai tha se Ukraina gjithashtu ka nevojë për ndihmë ekonomike.

Lufta për Bakhmutin

Forcat ukrainase dhe ruse dhanë njoftime kontradiktore të dielën vonë për statusin e qytetit lindor të Bakhmutit në Ukrainë, vendi i luftimeve të ashpra mes palëve.

Kreu i grupit paraushtarak rus Wagner tha se forcat e tij kishin ngritur një flamur rus mbi ndërtesën e administratës në Bakhmut dhe kishin marrë kontrollin “nga pikëpamja ligjore”.

Ushtria e Ukrainës tha se forcat ruse po vazhdonin të sulmonin Bakhmutin, por se trupat ukrainase “po e mbanin me guxim qytetin ndërsa zmbrapsnin sulme të shumta armike.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në fjalimin e tij të dielën se situata në Bakhmut ishte “veçanërisht e tensionuar”.

Të arrestuarit amerikanë

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, të cilin Rusia e ka akuzuar për spiunazh, ndërsa zoti Blinken foli me ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov të dielën në telefon.

Një deklaratë e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, nuk e përmendi gazetarin me emër.

Duke iu përgjigjur sekretarit Blinken, zoti Lavrov tha se fati i gazetarit Gershkovich do të përcaktohet nga një gjykatë ruse dhe i tha homologut të tij se ishte e papranueshme që Uashingtoni të politizonte çështjen. Zoti Lavrov tha se gazetari u kap “në flagrancë”, megjithëse Rusia nuk ka paraqitur ende ndonjë provë.

Në deklaratën e Departamentit të Shtetit thuhet gjithashtu se zoti Blinken kërkoi lirimin e shtetasit amerikan Paul Whelan, i cili është ndaluar për 1,553 ditë pasi u dënua me 16 vjet burg për spiunazh.

Ylli i basketbollit amerikan për femra, Brittney Griner, e cila u lirua nga burgu në një shkëmbim të burgosurish vitin e kaluar, i ka kërkuar administratës së presidentit Biden të vazhdojë të përdorë “çdo mjet të mundshëm” për të siguruar lirimin e gazetarit amerikan.

Kremlini thotë se zoti Gershkovich po përdorte gazetarinë si mbulesë për spiunazh, diçka që gazeta e ka mohuar me forcë. Wall Street Journal ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të zotit Gershkovich, duke e quajtur arrestimin e tij të enjten “një fyerje të rëndë ndaj shtypit të lirë”, ndërsa gazeta The New York Times botoi një deklaratë nga një koalicion organizatash lajmesh që shprehin shqetësim të thellë për ndalimin e gazetarit Gershkovich./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: