MAQEDONI E VERIUT

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët së bashku me Afrim Gashin e AA të cilët janë në koalicion kanë mbajtur një deklaratë për shtyp para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Sela ka thënë se marrëveshja ka vrarë shpresën e demokracisë në Maqedoninë e Veriut, teksa ka thënë se shqiptarët do të jenë në opozitë ndaj kësaj qeverie.

Sipas tij shqiptarët munden përtej mundesive dhe do i përgjigjen dhunës së qeverisë së LSDM- BDI me metoda demokratike.

 

“Shpresa në këto momente është e vrarë. Prapa meje është institucioni (Kuvendi, shkrim i redaksisë) i cili verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë e premtimin e bën realitet. Këtu është vendi ku politikanët e përgjegjshëm pasi mbaron cikli zgjedhor ulen dhe negociojnë për ta realizuar programin që e kanë legjitimuar qytetarët. Kur flasim për rrethanat e Maqedonisë, oponentët tanë, BDl-ja s’ka aspak legjitimet pasi që e ka të blerë dhe të vjedhur, të shantazhuar e të frikësuar të qytetarëve, por edhe këtë shantazh që e bëri në ditën e zgjedhjeve, vazhdoi me të njëjtën logjikë dhe shantazhoi edhe veten e tyre me premtimin që bëri për premtimin e tyre për kryeministër shqiptar. Ajo që i cilëson ata, post-komunistë në logjikë dhe bindje, natyrisht që nuk mund të bënte përjashtim nga forma se si do të silleshin ata në momentin që do të negociohej – e thonë edhe vetë në paraqitjet e tyre, forma pa përmbajtje quhet simbolikë që fatkeqësisht BDI-ja mundohet të paraqesë formë dhe aspak përmbajtje. Ata mundohen që këtë simbolikë ta arrijnë ta shndërrojnë në sukses, por ne do të jemi këtu në vazhdimësi bashkë me Afrimin, por edhe 10 deputetë tjerë – të popullit, të pastër, me votë një më një për të mbrojtur interesin e tyre për t’ju thënë shqiptarëve që mundet edhe përtej mundësive, për t’ju thënë oponentëve tanë që tani se nuk do të kenë përballë vetëm parti politike të cilët dhunës së tyre do t’i përgjigjen me metoda demokratike”, tha Sela.

Dje LSDM dhe BDI arritën një marrëveshje për një qeveri të re që do të mundësojë edhe një kryeministër 100 ditësh por jo të gjitha partitë shqiptare e kanë përkrahur këtë gjë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb