Ish-trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane, është kandidati më i lakuar për të marrë drejtimin e Newcastle United, klub që u ble 10 ditë më parë nga sheikët sauditë.

Pronarët e rinj të Newcastle pritet që së shpejti t’i tregojnë derën teknikut aktual Steve Bruce edhe pse nuk kanë gjetur ende zëvendësin e tij. Ndihmës-trajneri Graeme Jones do të marrë përgjegjësinë, teksa bordi i ri do të gjejë një trajner afatgjatë.

Gjatë ditëve të fundit janë përfolur emra të ndryshëm si Antonio Conte dhe Eddie Howe. Megjithatë, tani mediat angleze kanë filluar të zbulojnë emra të tjerë dhe shumë të njohur. Emri i francezit Zidane është ngritur në mesin e hierarkisë së klubit, për të udhëhequr ekipin.

Francezi aktualisht është një trajner i lirë, pasi u largua nga Real Madrid në fund të sezonit të kaluar. Ai fitoi tre Champions League dhe një titull në Spanjë, pa përmendur trofetë e tjerë. Zidane tashmë ka eksperiencën e duhur për ta ngritur Newcastle në nivele të larta, për të konkurruar me klubet e forta të Premier League.

Këtë sezon nuk kërkohet asgjë më shumë se mbijetesa ose maksimumi pjesëmarrja në Europa ose Conference League.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb