Zjarri i madh që shpërtheu të premten në mëngjes pranë vendpushimit turistik të Costa Brava, në verilindje të Spanjës, është vënë pjesërisht nën kontroll gjatë natës, ndërsa autoritetet vijojnë operacionet për shuarjen e plotë të flakëve.
Shërbimi zjarrfikës i Katalonjës njoftoi se gjatë natës u arrit të vihej nën kontroll rreth 70% e frontit të djathtë të zjarrit, me synimin për të stabilizuar situatën përpara ndryshimit të kushteve të erës gjatë ditës së sotme.
Flakët shpërthyen pranë komunitetit La Bisbal d’Empordà, në afërsi të Gironas, rreth 20 kilometra nga brigjet e Mesdheut. Sipas autoriteteve, zjarri dyshohet se është shkaktuar nga neglizhenca dhe deri tani ka djegur rreth 22 mijë hektarë, kryesisht sipërfaqe pyjore.
Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë vendosur shtetrrethim në shtatë komunitete të zonës dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet drejt rajonit të prekur.
Në terren vijojnë të operojnë rreth 400 zjarrfikës, të mbështetur nga mjete ajrore, të cilët po punojnë për të vënë flakët nën kontroll të plotë dhe për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
