Nga Raimonda Shundi

Kam nje kishë përball shtëpisë ku jetoj te vajza në Francë. Një kishë ku këmbanat bien sistematikisht pas orëve që fluturojnë kuturu. Njerëzia është tkurrur pranë familjeve të tyre, përfshirë edhe mua që qëllova në një vend pak të njohur si Colmar. Kjo situatë diktimi, më kthen pas në izolimin që sistemi i shkuar kushtëzoi Shqiptarët. Sot po izolohet globi. Izolimi bën që ti të mundesh të kërkosh tek vetja shumë mistere konceptesh të pa aplikuara më parë.

Familja Shundi
Familja Shundi

Të paaplikuara ndoshta nga frika, pasiguria, dështimi, liria e pashfrytëzuar: Izolimi na bën të nxjerim nga uni thesarët tanë të pazbuluar. Izolimi na bëri të shohim tek të dashurit tanë çudira afeksioni. Sot po ndeshemi me fjalë dashurie pa fund. Prindër që i dedikojnë të pa thënat fëmijëve të tyre, fëmijët prindërve të mbyllur prej kohësh në azil, komshij të lotuar, miq që dje nuk e dije se paskëshin qënë edhe kështu. Universialiteti i izolimit global solli solidaritet dashuror. Aty më shfaqet letra e njohur si e Ajnshtainit drejtuar së bijës (që në fakt nuk është e tija, por letër sajuar nga familjarët, sipas Diana Kormos-Buchwald, një profesore e fizikës dhe historisë së shkencës në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni) “Mbase nuk jemi ende gati të shpikim një bombë me dashuri, një pajisje të fuqishme që të shkatërrojë urrejtjen, egoizmin dhe lakminë që po gërryejnë planetin. Megjithatë, çdo individ mbart një “gjenerator” të vogël, por të fuqishëm dashurie, energjia e të cilit pret të çlirohet” Universi që tashmë është i mbyllur, po pluskon dashuri. Nuk është paradoksale?! A nuk ishin edhe dje problemet globale, ku ne njerëzit e paizoluar kundronim se si varfëria në Afrikë e gjetkë bënte kërdinë? Se si djegja e pyjeve degjeneroi në tragjedi? Se si betonizimi hoqi shumë nga asetet tona që po natyra na i kishte dhuruar bollshëm? A nuk ishim ne, të pa izoluarit që kundronim luftën në Iran, nacionalizmat, ultranacionalizmat, trafiqet, njerëzimin trajtuar në mall, para, bisnes. Prostitucionin, pedofilinë? A nuk janë të gjitha këto problem universale? Cili problem apo fenomen njerëzor, nuk është i tillë? Vetem ky virus që vuri ne dilem jetët tona është problem global?

Naun Shundi
Naun Shundi

Sot universi pluskon dashuri, hipokrizi. Sot në këtë izolim unë bëj atë që bën shumë kush, analizat e mia. Kam një kishë përballë shtëpisë pritëse, por që nuk mundem ta vizitoj pasi ajo rri mbyllur. Askush nuk hyn e del në atë kishë, askush. Asnjë prift, asnjë hallexhi që ka urgjencë për një streh, një pjatë të ngrohtë, asnjë i shëndetshëm nuk hyn për të larë mëkatet e më pas të vijojë me jetën e tij. Madje as vetë djallit nuk i duhet më ai vend. Por këmbana e saj vijon të bien sistematikisht. Sot, shumë fenomone po cmitizohen, shpërbëhen. Sot, falë këtij virusi po shohim një botë ndryshe nga cfarë na është ofruar sistematikisht. Në familjen tonë nuk kemi qenë praktikantë apo ndjekës të vendeve fetare, thjesht i rrespektonim ato. Në historikun e familjes sime vajzërore i përkas fesë myslimane, madje, stërgjyshi im në Filat të çamërisë, ishte Myfti. Por unë u rrita pa të tilla, pasi sistemi i çbëri. Ndërsa im shoq si ortodoks Tirane, praktikonte në vegjëli vendet e shenjta kur shkonte me gjyshërit për të ndezur një qiri në periudhën e para prishjes së madhe. Për Naunin (im shoq) të gjithë ata që e njohin, e dinë se emocionet kanë një rëndësi të vecantë rezervimi. Profesioni i artistit i ka mprehur stoicitetin e transmetimit të tyre. Pak kush e sheh në momente dobësie, ku fëmija të jetë dominante. Dikur, mezi e bindja të shkonin për pashkë, të prisnin orën 00:00, e më pas të sillnim në shtëpi flakën e shenjtë së bashku me vajzën tonë.

Shundi
Shundi

Sot fola me të dhe e pash të shkërrmoqur nga trishtimi. I thash “Shiko beb , këtu përballë kemi një kishë.” – “Keni një kishë? Keni shkuar?!” – pyeti ai. “Po jo, kisha është e mbyllur.” –i përgjigjem unë. “Nuk mbyllen kishat, jo.” – më tha ai, e duke vijuar “Ju e dini se unë nuk para jam besimtar, por sot e çdo ditë e më shumë i afrohem zotit. Çdo natë përpara se të fle, lutem me zë të lartë “ O zot, mbroma familjen time”. Pas kësaj, pash se si lumi i emocionit kapërtheu lotin e turpshëm duke i bllokuar përfundimisht fjalën. “Jemi mirë, jemi mirë” – e qetësoj teksa përpiqem të mos reflektoj pikëllimin tim.

Shundi 1
Shundi 1

Falë këtij virusi unë pash një tjetër njeri tek ai. Por, sot kishat janë bosh. ”Zgjohu zotëri” – ishte thirrja e Papa Franceskut në sheshin bosh të vatikanit. Kurrë më parë nuk ishte parë kjo zbrazëti. Kisha pa njerëz. Një virus kreu mutacion dhe befas njerëzimi u gdhi më i bukur. Dielli i tyre i brendshëm u shpërfaq pa nevojën as të motit të mirë, as të predikimeve, as të ambicjes, as….. Ai u shfaq tamam atëherë kur ne menduam se nuk ekzistonte. Një virus i trajtuar si mallkim, tjetërsoi objektivat e shumëkujt duke u kthyer në bekim. Një virus që bëri të ndalojë vrapi i makutërisë njerëzore. Një virus që solli afeksion me bollëk. Një virus që i bëri shumëkujt katarsis, panvarësisht sa e si do shkojë më vonë ky pastrim. Një virus, ku shumë familjarë pasi i kishin braktisën prindërit nëpër azile sepse ishin “shumë të zënë” me veten, pas kësaj katrahure nuk i gjetën më…. Një virus që nuk pyet as për imunitet diplomatik, as për status shoqëror. Tashmë jemi të barabarë falë këtij virusi, e jo sistemit, politikave, europianizimit, ndërsensibilizimit, shkollimit, trajnimit… e te gjitha -imit, apo -omit. Falë këtij virusi unë sot pash një tjetër botë. Kam një kishë përball shtëpisë së vajzës sime, por që momentalisht është e mbyllur. E bashkë me të, mbyllur është edhe egoizmi im. Po yti?

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb