Nga: BEN ANDONI*

Nëse do të dëgjosh Vox-Pop dhe shfrimin e shumë njerëzve në median publike, do të lindë sakaq përfytyrimi se reagimi social mund të jetë çështje minutash, orësh, ditësh, por jo më gjatë. Veçse, ja që nuk ndodh asgjë, kurse turma shqiptare përballet dhe përballet me të njëjtat shqetësime shoqërore-sociale politike prej vitesh dhe krejt e pazonja t’i ndryshojë. Sociologët mendojnë në përgjithësi se turma shqiptare është jo vetëm e pamaturuar, por edhe krejt e paorganizuar në orientimet dhe kërkesat e veta.
Le të ndajmë konceptin e turmës, sipas Jose Ortega y Gasset: shoqëria përbën gjithnjë një unitet dinamik të dy faktorëve përbërës: minoriteteve dhe turmave. Minoritetet janë individë ose grupe individësh të kualifikuar në mënyrë të veçantë, kurse turma një grumbull personash të pakualifikuar në mënyrë të veçantë.
Duke u kthyer në argument: krejt ndryshe prej vendeve me demokraci të zhvilluar, ku lëvizjet sociale përfshijnë grupe të mëdha të njerëzve me një traditë të mbartur, duke gjetur shpesh forma të ndryshme të rezistencës ndaj ndryshimeve politiko-shoqërore nëpërmjet mjeteve jo të zakonta, në Shqipëri nuk ndodh aspak kështu. Veçmas protestave sporadike, më shumë me motive politike, kulmi ka qenë reagimi publik i vitit 1997, ajo që Shqipërisë i la një damkë e cila nuk do të harrohet shpejt. Po pse, qoftë edhe sot e kësaj dite, paçka edhe këtij zhvillimi të shoqërisë dhe brezave të rinj, shqiptarët e kanë të vështirë të përcjellin frymë reagimi në dobi të interesave të tyre qytetare?
Kryesorja është, me sa duket, se asnjëherë nuk identifikohet si duhet një problem dhe mjetet për të mbështetur reagimin, kurse rrymat përgjegjëse dështojnë prej korruptimit shpejt të idesë. Fajin e merr niveli i ulët demokratik kombëtar, por pa gjë s’mbetet edhe karakteri anarkik dhe kaotik i shoqërisë dhe individëve. “Kështu në jetën intelektuale, që në thelb të vet kërkon dhe prezupozon kualifikim, çdokush mund të vëzhgojë triumfin përparues të pseudo-intelektualëve të pakualifikuar, të pakualifikueshëm, madje në sajë të vetë strukturës së tyre mendore, të skualifikueshëm”, na vjen në ndihmë Ortega y Gasset.
Në teori, besohet se lëvizjet sociale janë më të përhapura në vendet e industrializuara, sepse ekzistojnë popullata të ndryshme me interesa të formalizuara. Që do të thotë se prishja e ekuilibrave të fashave të shoqërisë bën që lëvizjet e ndryshme të grupimeve të nxjerrin hapur konfliktet e interesave mes veti. Dhe, përplasjet e tyre vinë sak dhe në momentin kur koha shtron kërkesa reale për ndryshimet e duhura shoqërore.
Nuk ndodh aspak kështu në vendin tonë, dhe këtë e pamë me udhën pa krye të të rinjve dhe njerëzve që reaguan për Reformën në Arsim, por edhe me çështje të ndryshme.
Dhe, pse nuk ndodh që shoqëria shqiptare të identifikojë realisht problemet reale! Kjo, se ma sa duket, nuk dihet të kanalizohet realisht shqetësimi publik, kurse lëvizjet sporadike të grupeve nuk shkojnë dot kurrë më tej; shqetësimi ekonomik nuk trajtohet si duhet dhe balancohet lehtë nga propaganda qesharake e qeverive shqiptare për suksese imagjinare; përfshirë dhe kaotizmin e mendimit të lëvizjes opozitare në vend.
Ajo që mbetet në të gjithë këtë kaos është një pyetje e thjeshtë: Si mund të kërkohet zgjidhja kur nuk ka frymë të protestës në Shqipëri ose ushqim social për protesta? Deri tani këtë element e gjen thjesht në rrjetet sociale. Dhe nuk shkon dot më tej, pasi i duhet një ideologji, e cila nuk po edukohet, kjo edhe formimit të mangët qytetar dhe ca më shumë atij intelektual. Mund të quhet e mirë apo e keqe?
Askush nuk di apo parashikon në këtë gjendje kaotike të shoqërisë shqiptare, se çfarë rolesh do të marrin grupimet e së ardhmes. Edhe pse kushtet e radikalizmit janë vërtet gati: qoftë ekonomike, por edhe ato sociale.
Me pak fjalë, pak lëvizjet, që ekzistojnë sot e kësaj dite, kanë nevojë ta artikulojnë jo vetëm më mirë mendimin e tyre, por edhe t’ua bëjnë ato më të kuptueshme njerëzve të thjeshtë, që të vetmin medium që posedojnë mbetet një emision mëngjesi kombëtar ku shfryjnë prej vitesh problemet e tyre.
Në të gjithë logjikën e argumentit besohet se në Shqipëri nuk ka frymë radikalizmi, kurse nëse ajo po maturohet apo jo duket se ka ende kohë të shikohet dhe të hulumtohet.
Shqetësues mbetet mosreagimi i publikut për probleme themelore dhe lodhja e zakonshme e njerëzve nga lëvizjet që mëtojnë se shkojnë te njerëzit, por që i rrëmbejnë individët politikë, ose minoritetet sociale në konceptin e Gasset.
Aktualisht, qeveria shqiptare dhe ajo para saj, në opozitë, ka luajtur me nervat dhe kapacitetet mbajtëse të durimit të popullsisë, duke i privuar nga puna, elementi bazë i mbijetesës, nga marrja e shpresës së rinisë dhe nga elementë të domosdoshëm të demokracisë.
Por a mund radikalizmi të ngjallet te turma shqiptare? Përderisa elitat politike, lexo “minoritetet kanë dështuar, janë turmat që besojnë se kanë të drejtë të diktojnë e t’u japin forcën e ligjit nocioneve të lindura nëpër kafenë”, thotë Gasset. Ndërkohë sociologët vazhdojnë të mos na ndihmojnë dot me sjelljen e shqiptarit të thjeshtë, përveç teorisë, atë që hedh dritë në një turmë që ka nevojë të maturohet dhe t’i shpëtojë kaosit të frikshëm, me të cilin bashkëjeton dhe që e ka kthyer vendin e vet të pabanueshëm prej orësh, ditësh, vitesh pa fund.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: