Nga Edi Rama

Do mundohem të jem shumë sintetik, edhe pse më rezulton zakonisht e vështirë kjo gjë, edhe për faktin se, ju jeni edhe të ftuar për edicionin e katërt të’Bletës së Artë’, por edhe sponsorët e kësaj darke, kështu që nuk dua të krijoni përshtypjen që qeveria flet e flet e flet dhe ju mbeteni të pangrënë. Pak gjëra dua të rreshtoj. Së pari, që, si rrjedhojë e reformave të ndërmarra në funksion të sipërmarrjes, Shqipëria këtë vit arriti pozicionin e saj më të mirë historik në raportin global “Doing Business”, (Të bërit biznes), qysh prej vitit të parë të tij të publikimit, në vitin 2003. Këtë vit jemi renditur në vendin e 58-të, nga 190 ekonomi të krahasuara dhe kemi përmirësuar 32 pozicione. Ndërkohë që, në pozicionin e lehtësimit për pagesën e taksave kemi përmirësuar 45 vende.

Nuk është ky objektivi ynë përfundimtar. Ne synojmë të përmirësojmë ende më shumë pozicione të tjera. Jemi të bindur që është e mundur. Dimë se si duhet të shkojmë drejt përmirësimit të pozicioneve të tjera. Patjetër që do t’ia dalim! Sot janë të regjistruar në librat e shtetit 183 mijë punonjës më shumë në sektorin jobujqësor, sesa ç’ishin në vitin 2013. Është një shifër dhe jo një opinion. Besoj që është një shifër që vlen për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe duan kuptojnë se nëse papunësia në Shqipëri, sot e gjithë ditën është një plagë e madhe, Shqipëria sot nuk është më e papunë. Shqipëria sot ka më shumë punësim sesa 3 vjet e pak më parë. Ashtu sikundër, dua ta përsëris edhe përpara jush, shumë nga ju jeni dëshmitarë të faktit që, nëse do të merrnin një rrugëtim dhe do të trokisnim derë më derë në të gjitha ndërmarrjet që janë në të dyja anët e autostradës Tiranë- Durrës, nuk do të gjenim një derë të vetme ku s’ka qoftë edhe një vend të lirë pune. Përkundrazi, ka nga një e nga dy, deri në 50-60 vende të lira pune. Kjo, si rezultat i nevojës së sipërmarrjeve për krah pune të kualifikuar dhe si pasojë e mungesës së gjatë të kualifikimit të krahut të punës. Sonte, unë dua të falënderoj të gjithë ata ndër ju që janë këtu, ose që s’janë këtu, të cilët i janë bashkuar përpjekjes sonë të madhe për reformimin rrënjësor të arsimit profesional dhe për transformimin e tij nga një “refugium peçatorum” e braktisur, ku strehoheshin viktimat terminale të një sistemi arsimor komplet të rrënuar dhe jashtë çdo standardi, në një gjenerator të punësimit në Shqipëri.

E kemi filluar me 3 mijë nxënës në arsimin profesional dhe sot jeni në 27 mijë, çka do të thotë se e ardhmja, jo shumë e largët, është patjetër shumë më e sigurt për shumë më tepër vajza dhe djem, që përmes arsimit profesional do të gjejnë vendin e tyre të punës në dyert tuaja, ku priten krahëhapur ata që zotërojnë një zanat. Nga ana tjetër, të regjistruar në librat e shtetit sot janë për këtë vit 18 mijë biznese të reja. 18 mijë biznese të reja, qoftë edhe sikur një person të vetëm të kenë punësuar, bëjnë 18 mijë njerëz të punësuar. Por nuk bëhet fjalë për një person, bëhet fjalë për shumë më tepër persona. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë ata që i fryjnë një tymnaje që Shqipëria është vendi ku s’ka investime të huaja, – nuk është vetëm shifra që solli këtu ministri, që është shifër zyrtare, por është edhe fakti që kemi një rritje me 13.2 për qind të numrit të kompanive të huaja, apo me kapital të përbashkët. Besoj që ia vlen të nënvizohet se ky vit na ka dhënë një mesazh shumë kuptimplotë për potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Shqipërisë, jo vetëm si një gjë që e dimë, por edhe si një gjë të cilën kemi filluar ta fusim në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm. Faktikisht, sipas Bankës së Shqipërisë, që është një institucion, shifrat e të cilit nuk kam dëgjuar deri më sot ndonjëherë të kontestohen, ekonomia e Shqipërisë fitoi më shumë se gjysmë miliardi euro nga turizmi vetëm në 3-mujorin e tretë të vitit 2016.

Edhe në këtë rast, ashtu si edhe për sa thashë më parë, nuk është mjaft. Përkundrazi! Është një arsye jo për të qenë të kënaqur, por për të qenë edhe më të pakënaqur me veten tonë, pasi potenciali është i jashtëzakonshëm. Besojmë shumë që miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, ku përfshihet dhe plani i integruar i Zhvillimit të Bregdetit, së bashku me ligjin e Investimeve Strategjike dhe me legjislacionin specifik për Zhvillimin e Turizmit na vendosin në kushtet ku mund t’i japim një shtysë të re kësaj industrie, me rritje të konsiderueshme, jo vetëm të të ardhurave të përgjithshme, por edhe të vendeve të punës. Nuk duhet lënë pa nënvizuar rritja ekonomike. Sigurisht që 3.3, apo 3.5 për qind, – të shohim si do përfundojë, brenda këtij harku, viti 2016, – nuk është një rritje e mjaftueshme për një ekonomi si e jona, në kushtet kur për familjen e shtresës së mesme, apo të varfër ne kërkojmë që impulsi i rritjes të jetë vërtet i prekshëm dhe i pranishëm në jetën e përditshme. Por, ama, vetëm kush nuk do të shohë dhe kush nuk do të dëgjojë, e për këtë s’do as të kuptojë, nuk pranon se 3.3, apo 3.5 për qind është shumë më tepër se 0 presje diçka ku ishte ekonomia 3 vjet e pak më parë. Ashtu sikundër, edhe projeksioni i rritjes së mëtejshme të qëndrueshme është qartësisht inkurajues në funksion të atij objektivi që thashë.

Ne kemi të gjitha arsyet për t’u ndjerë krenarë për këtë kthesë të rëndësishme që po i japim ekonomisë, jo thjesht në funksion, apo me rezultat rritjen, por në funksion të transformimit të brendshëm të modelit ekonomik, nga një model i cili mbështetej tek remitancat dhe tek boom-i në ndërtime, si dy burimet më të mëdha të rritjes, tek një model që mbështetet tek investimet prodhuese dhe eksportet. Ama, nga ana tjetër, jemi absolutisht të bindur se kemi të gjitha arsyet për të qenë edhe më të pakënaqur sot sesa në momentet e para, kur realisht ia dolëm të shmangim një rënie në humnerë, për shkak të borxheve të akumuluara, të borxheve të fshehura dhe të të gjithë kolapsit energjetik dhe financiar ku kërcënoheshim, si rezultat i krizës së thellë të kompanisë së shpërndarjes. Por, në raport me të ardhmen, kjo nuk na mjafton. Kjo është arsyeja pse ne jemi përgatitur për të injektuar në ekonomi një shumë prej 1 miliard eurosh në 3 vitet e ardhshme, shumë, e cila, sipas projeksioneve tona, mund ta nxisë rritjen ekonomike, përtej rritjes së parashikuar, deri në 6 e plus për qind, në varësi nga kapaciteti ynë ekzekutiv i këtij programi shumë ambicioz investimesh në infrastrukturën rrugore, investimesh në infrastrukturën arsimore, investimesh në infrastrukturën shëndetësore, në bashkëpunim me sipërmarrjen.

Këtu dua t’i nxis të gjithë që të mendojnë dhe të projektojnë mundësinë për t’u përfshirë në këtë program masiv investimesh, ku synimi ynë është që të nxjerrim nga bankat sa më shumë likuiditet dhe t’i vendosim në dispozicion të ekonomisë përmes këtij programi transformues në infrastrukturë. Natyrisht që nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga vizioni dhe nga modeli ynë i Partneritetit Publik Privat. Unë dua t’ju them që pavarësisht të gjithë përpjekjes për t’i demonizuar Partneritetet Publike Private që kemi ndërtuar, ato në fakt janë treguesi më kuptimplotë i asaj çfarë mund të bëjë qeveria, së bashku me ju, në funksion të rritjes thelbësore të cilësisë së shërbimeve për publikun dhe në funksion të rritjes së ekonomisë, duke shtuar këtë komponent tjetër për të cilin sapo fola. Ajo që është më e rëndësishme, i gjithë ky program, ashtu sikundër rritja e rrogave dhe e pensioneve, që është rritja më e madhe brenda një viti në 25 e fundit, ndodhin pa rritur borxhin, por përkundrazi, duke vazhduar trendin ulës dhe normalizues të borxhit publik. Ka pasur rritje rrogash dhe pensionesh edhe në të shkuarën, por gjithmonë kanë qenë rritje rrogash dhe pensionesh për prindërit, apo për gjyshërit sot, duke i marrë paratë nga fëmijët nesër, pra duke rritur borxhin publik. Rritja prej 100 milionë dollarësh e rrogave dhe e pensioneve për vitin e ardhshëm impakton 0 borxhin publik.

Përkundrazi, paralelisht me rritjen e rrogave dhe pensioneve, do të ketë një ulje të borxhit publik. Ashtu sikundër, edhe ky program agresiv investimesh, – që ne do ta shpallim zyrtarisht dhe të detajuar përpara jush, qoftë sipërmarrjes, qoftë bankave në ditët e janarit, pasi duam që të jetë sa më i qartë dhe sa më i kuptueshëm për të gjithë, – jemi të bindur që do të na japë mundësinë që në harkun e 4 viteve të ardhshme rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë vërtetë një “boom” i mirëfilltë, me një dyfishim minimalisht të rritjes ekonomike të parashikuar. Së fundmi, ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen time më të thellë për gjithçka ju keni bërë. Ju e dini që kemi transformuar rrënjësisht, ende jo plotësisht, mënyrën e funksionimit të administratës tatimore dhe doganore dhe xhirot tuaja i ndjekim nëpërmjet atij trurit elektronik të instaluar aty, kështu që me kënaqësi kam vënë re që kur kemi kontakte të drejtpërdrejta, – pavarësisht zakonit të vjetër për të thënë: “E mo çka”, “E mo, sikur kemi qenë më mirë vitin tjetër”, – nuk mohon dot asnjëri nga ju që ka pasur rritje të konsiderueshme të xhiros, qoftë ata që e kanë rritjen të shfaqur drejtpërdrejtë edhe në ekranin e trurit elektronik të Tatimeve, qoftë ata që akoma nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se lufta kundër informalitetit, jo që s’ka mbaruar, po vetëm ka filluar.

Prandaj, përfitoj nga rasti që t’jua jap këtë mesazh, që bëni rivlerësimin, siç e kemi kërkuar dhe siç e kemi sanksionuar dhe në paketën e re të Ministrisë së Financave, për të ikur gjithmonë e më shumë nga natyra represive e marrëdhënies mes administratës fiskale dhe biznesit, për të krijuar sa më shumë sensin e partneritetit dhe të ndarjes së qartë të detyrimeve të përbashkëta, në mënyrë që të mos kemi viktima të peshës së rëndë të kësaj lufte kundër informalitetit. Gjë që do të thotë se ato kutitë kineze njëra pas tjetrës për të shpërndarë xhiron duhen mbledhur dhe paketuar, sepse për fatin e mirë të financave publike, janë të gjitha të skanuara. Ndërkohë, ne presim që ju vetë të bëni rivlerësimin, t’i paketoni, t’i quani “të shkuara, të harruara” dhe shtetit t’i jepni gjithë atë që i detyroheni. Prandaj, me mirënjohjen më të thellë për darkën, ju siguroj se darka nuk do të mjaftojë që ne të mbyllim sytë karshi detyrimeve tuaja. Këtu e di që kemi të gjithë mirëkuptimin tuaj. Shumë faleminderit!

* Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bleta e Artë 2016”

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb