NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Rishikimi i buxhetit të shtetit ka shkurtuar të ardhurat dhe shpenzimet dhe ka prekur të gjitha institucionet. Shkurtimi i fondeve ka prekur të gjitha ministritë. Për Ministrinë e Jashtme buxheti nuk ka ndryshuar, ndërsa për Ministrinë e Shëndetësisë, të Brendshme, të Drejtësisë, të Mirëqenies Sociale, të Arsimit, të Financave, të Mbrojtjes fondet janë shkurtuar. Rishikimit të buxhetit me ulje nuk i kanë shpëtuar as Kuvendi, Presidenca dhe Prokuroria. Buxheti është riparë me rritje për Këshillin e Ministrave dhe në Ministrinë e Transporteve, Kulturës dhe Mjedisit. Rritje modeste janë përcaktuar për ish-pronarët, ndërsa fondi për të përndjekurit është shkurtuar me 800 mijë lekë.

NDRYSHIMET
Në buxhetin e rishikuar të botuar në Fletoren Zyrtare të ardhurat janë ulur me 4.4 miliardë lekë’ në buxhetin e shtetit ishin parashikuar në masën 418.894 miliardë lekë dhe në buxhetin e rishikuar janë 414.494 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet janë shkurtuar me 3.1 miliardë lekë; në buxhetin e vitit 2016 ishin parashikuar në masën 453,325 miliardë lekë dhe në buxhetin e rishikuar janë 450,224 miliardë lekë.

KOMPENSIMI I PRONAVE
Rishikimi i buxhetit ka sjellë një rritje prej 600 milionë lekësh të fondit të kompensimit të pronave. Në buxhetin e vitit 2016 ishte parashikuar që shpenzimet për kompensimin e pronarëve të ishin në vlerën 3 miliardë lekë, ndërsa me buxhetin e rishikuar fondi shkon në 3,6 miliardë lekë. FONDI REZERVË Fondi rezervë i buxhetit ishte 1 miliard lekë, ndërsa me rishikimin e buxhetit ka shkuar në 1,6 miliardë lekë dhe do të përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të institucioneve buxhetore. Fondi i kontingjencës prej 2.200 milionë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave për ekzekutimin e pagesave për detyrime ndërkombëtare, si dhe për shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.

DEFICITI
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit është 35,7 miliardë lekë, nga i cili 2,6 miliardë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. Huamarrja totale nga burime të brendshme dhe të huaja është 33,1 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: