Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE –
Tenori shqiptar i njohur me sukses ndërkombëtar, Saimir Pirgu, ka kërkuar të ndalet publiciteti negativ ndaj Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Duke iu referuar posterave fyes të fushatës antibrexit, në të cilët thuhej se nëse Britania del nga BE, do bëhet si Shqipëria, tenori ka reaguar në profilin e tij zyrtar në Facebook.

“Britania votoi, e morëm vesh të gjithë! Por, a ka mundësi që ky publicitet i shëmtuar ndaj Shqipërisë të ndalet? Kanë vërtet nevojë britanikët për brexit e tyre të përdorin vendin tonë vend e pa vend edhe mbas daljes nga EU…”, shkruan ai duke postuar një foto ku dikush tjetër shkruan: “Problemet e Britanisë nuk do të zgjidhen duke përdorur në mënyrë të vazhdueshme postera racistë ndaj Shqipërisë”.

Mandej tenori shton se “Jemi shtet i vogël, i nderuar e me shumë probleme dhe zërin e kanë ngritur”, dhe ndërsa shpërndan një artikull të “The Times”, ai shton se ndonëse kanë shkruar të gjithë për këto fyerje edhe kryeministri, edhe ambasadat, përsëri nuk mjafton. “Duhemi dhe ne të gjithë në vendet ku punojmë e jetojmë, të mos fshihemi kur preket identiteti ynë. Kjo nuk është politikë, unë e quaj fyerje!”.

Tenori shqiptar ka qenë disa herë në role kryesore në premiera të “The Royal theatre” në Londër dhe është pritur me sukses. Ai ka pasur sukses në teatro të qyteteve kryesore të Europës.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb