Partizani do të presë Vllazninë në kuadër të javës së dytë të Superligës, ndërsa në kampion e kuq duan të zhbëjnë paraqitjen e fundit ndaj Luftëtarit. Partizani nisej si pretendent, por fitoi vetëm falë një penalltie zemërgjerë të gjyqtarit Andi Koçi në limitet e takimit.

Zhgënjimi te tifozëria ishte i madh, kjo sepse Partizani vinte pas një ecurie dhe ndeshjeve shumë të mira të luajtura në Kupat e Europës. Trajneri Sormani ka dilema në lidhje me formacionin, ndërsa duket se Fejzullahu dhe Ramadani do të rikthehen titullarë, duke marrë vendin e Ibrahimit dhe Bertonit nga ndeshja e fundit. Vllaznia nga ana e saj ka dhuruar një paraqitje shumë të mirë ndaj Kukësit. Ndonëse verilindorët ishin favoritë, në “Loro Boriçi” skuadra kuqeblu bëri vërtet një lojë mbresëlënëse, ndaj edhe trajneri Cungu këtu kërkon ta nisë ndeshjen ndaj Partizanit, ndonëse e di se të kuqtë janë favoritë.

Takimi tjetër i së hënës do të jetë sfida mes Kukësit dhe Teutës, një përballje kjo që premton emocione, pasi të dyja ekipet luajnë një futboll të bukur, ndonëse skuadra e Gjokës është më e mirë pajisur sesa ajo e Bexhit. Kukësi ka marrë një ultimatum nga presidenca, në 3 ndeshjet e radhës kërkohen pikë të plota, ndërsa Teuta nga ana e saj nuk ka presionin e rezultatit, ndonëse ndeshja e mirë që zhvilloi ndaj Tiranës mbush me shpresë “djemtë e detit”.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb